Lajme

“Varfërim dhe mjerim”, thotë Haradinaj për buxhetin e Qeverisë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, buxhetin e Kosovës për vitin 2023 e konsideron si shumë më të ulët sesa atë të viteve paraprake.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ e ka quajtur “buxheti i varfërimit dhe mjerimit”.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës, kemi një buxhet më të vogël në krahasim me vitin paraprak. Për të qenë më i qartë, qytetarët që marrin paga nga shteti, shërbyes civilë, pensionistë dhe të gjitha kategoritë e tjera, do të jenë për 25% më të varfër krahasuar me 2022, sepse me pagat e tyre do të blejnë 25% më pak mallra të konsumit”.

Haradinaj, konsideron se një pjesë e investimeve kapitale do të mbetën të pezulluara.

“Me këtë buxhet, do të mbeten mangu një e katërta e investimeve kapitale, ndërsa vet projeksioni i të hyrave, është bërë pa asnjë logjikë financiare. Të hyrat nga tatimi i korporatave apo tatimi në fitim parashihet të shtohet 41%, të hyrat nga tatimi në të ardhura personale parashihet të rritet 24%, ndërsa rritja e pagave realizohet në vlerën 11%”.

Sipas tij, “më shumë taksa për qeverinë, e më pak para për popullin”.

Teksa, ka kritikuar edhe projeksionin për të hyrat doganore dhe të atyre të akcizës.

“Duhet të kesh mbaruar katër vjet shkollë fillore, për të kuptuar se qeveria Kurti ka probleme serioze me operacionet e thjeshta matematikore”.

Sipas Haradinaj, ekzekutivi nuk është angazhuar as në punësimin e qytetarëve.

“Avazi i njëjtë është edhe tek struktura e shpenzimeve. Derisa janë 5800 vende të lira pune, e qeveria nuk po i punëson qytetarët, ata kanë planifikuar vetëm 1400 punësime për vitin 2023 dhe një rritje të fondit të pagave në vlerë 75 milionë”.

“Në këto shifra, ne nuk shohim as rritjen nominale të pagave, pra, po vazhdon varfërimi i qytetarëve”.

Kritika adresoi edhe për sektorin e arsimit.

“Qeveria ka goditur edhe Arsimin, pasi që mësimdhënësit e arsimit parafillor, fillor dhe të mesëm, konsiderohen si të padëgjueshëm nga pushteti. Mësimdhënësit u dënuan nga qeveria me zvogëlim të fondit të pagave, konkretisht me 293 mijë euro më pak sesa në vitin 2022”.

Kritika ndaj buxhetit kishin adresuar edhe ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami duke thënë se buxheti për vitin 2023 nuk e parasheh zbatimin e Ligjit të pagave e as rritjen e pensioneve.

Hoti e Bajrami kritikojnë Qeverinë për menaxhimin e buxhetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore