Lajme

Vaksina HPV, efektive në luftën me kancerin e qafës së mitrës


Një vaksinë e re e quajtur ‘papillomavirus’ ose HPV është konsideruar mjaft efektive nga shkencëtarët në luftimin e kancerit të mitrës.

Të dhënat e para tregojnë se kjo vaksinë po zvogëlon rastet deri 90%.

Studiuesit i kanë përshkruar gjetjet si “historike”, duke deklaruar se vaksina po shpëton jetë.

Pothuajse të gjitha kanceret e qafës së mitrës shkaktohen nga viruset. Shkencëtarët shpresojnë se vaksinimi mund të eliminojë sëmundjen tërësisht.

Vajzave u ofrohet vaksina nga mosha 11 deri në 13 vjeç, në varësi të vendit ku jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë vaksina është në dispozicion edhe për djemtë.

Studimi, i botuar në revistën “Lancet”, shqyrtoi atë që ndodhi pasi vaksina u prezantua për vajzat në Angli në vitin 2008.

Sipas studimit, reduktimi i rritjeve para-kanceroze ishte 87%. Aktualisht vaksina HPV ka parandaluar 450 të sëmurë me kancer dhe 17 mijë parakancerogjenë.

Mjekët këshillojnë që çdo tri vite femrat të bëjnë kontrolle për kancerin e mitrës.

Si shkaktohet kanceri?

Versionet që shkaktojnë kancer çojnë në ndryshime të rrezikshme në ADN-në e qelizave të infektuara që i transformojnë ato në kancer.

Kjo mund të ndodhë në çdo ind të infektuar. Viruset mund të përhapen përmes seksit vaginal, oral dhe anal, kështu që lidhen edhe me anusin, penisin dhe disa kancere të kokës dhe qafës.

Megjithatë, 99% e kancereve të qafës së mitrës shkaktohen nga papillomaviruset njerëzore.

Kjo është arsyeja pse më shumë se 100 vende kanë filluar përdorimin e vaksinës si pjesë e planeve të “Organizatës Botërore të Shëndetësisë”për t’i afruar eliminimit të kancerit të qafës së mitrës.

Vanessa Saliba, epidemiologe konsulente për “Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore”, në Mbretërinë e Bashkuar, tha se gjetjet ishin “të jashtëzakonshme” dhe treguan se vaksina “shpëton jetë duke ulur në mënyrë ndjeshëm normat e kancerit të qafës së mitrës te gratë”.

Michelle Mitchell, shefja ekzekutive në “Cancer Research UK”, u shpreh: “Është një moment historik për të parë studimin e parë që tregon se vaksina HPV do të vazhdojë të mbrojë mijëra gra nga zhvillimi i kancerit të qafës së mitrës”.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore