Sport

Uzuni: Polonia ka një ekip shumë të fortë


Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për sfidën që do të zhvillojë ndaj Polonisë më 2 shtator, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2022, ndërsa ditën e hënë është kompletuar i gjithë grupi i lojtarëve.

Këtë të martë, në një konferencë për mediat kanë dalë dy futbollistët e ekipit, Myrto Uzuni dhe Albi Doka, të cilët kanë folur për sfidën që i pret ditën e enjte.

Sulmuesi kuqezi, Uzuni tregoi se ndihet i lumtur që është pjesë e ekipit Kombëtar, ndërsa theksoi se skuadra do të japë maksimumin në këtë ndeshje të parë ndaj Polonisë, pasi asnjë kundërshtar nuk është i pakalueshëm.

“Të gjithë e dimë rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Jemi të fokusuar 100% te Polonia, nuk kemi menduar për dy ndeshjet e tjera. Do të japim maksimumin, pasi futbolli na ka treguar se asnjë kundërshtar nuk është i pamundur”, tha Uzuni për mediat.

“Flasim për lojtarë të nivelit botëror. Polonia ka një ekip shumë të fortë, ka dhe një grup shumë të mirë. Normalisht meritojnë respekt, por asgjë nuk është e pamundur. Mendoj se mund të luajmë me çdo kundërshtar si të barabartë”, vijoi të thoshte beratasi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore