Shqipëria

Universiteti i Korçës kërkon të bashkohet me Universitetin e Tiranës


Senati Akademik i Universitetit të Korçës ka miratuar unanimisht bashkimin me Universitetin e Tiranës.

Sipas deklaratës së rektorit Dhimitër Bello në një konferencë për shtyp, rritja e cilësisë akademike, ulja e numrit të studentëve, dhe ulja e programeve të studimit janë disa nga arsyet që shtynë këtë senat të ndërmarrë vendimin për bashkim.

Universiteti Fan S. Noli, nëse do të vendoset edhe nga senati i Universitetit të Tiranës, do të kthehet në një korpus.

“Me vendim të senatit akademik të universitetit Fan Noli për hapjen e dritës jeshile për të proceduar me hapet e mëtejshme për finalizimit për një bashkim të mundshëm mes universitetit të Korçës dhe atë të Tiranës por me dy korpuse të ndryshme, korpusi i Tiranës dhe korpusi Fan Noli”, pohon deklarata e tij.

Ky i fundit do të mbajë të pandryshuar emrin dhe logon, gjithashtu nga bashkimi nuk do të rrezikohet pakësimi i personelit, apo mbyllja e programeve të studimit, por do të ndodhë e kundërta.

“Orientimet janë drejt maksimizimit të forcave universitare brenda për brenda disa trupave, që mos të jenë pjesë të vogla institucione të ndryshme. Ky bashkim do sjellë rritje të cilësisë dhe hapjen e programeve shumë cilësore në të ardhmen”, shtoi rektori.

Kjo metodë është aplikuar në vende të ndryshme të botës dhe pritet të lehtësojë barrën e vetë Universitetit të Korçës dhe të rrisë potencialin akademik të këtij universiteti.

“Jam optimist që në të ardhmen të dyfishojmë numrin e studentëve. Ata që kanë qenë mësimdhënës, pedagogët që kanë dhënë kontributin për vite me radhë do të kenë mundësi ta bëjnë në një institucion shumë më të madh dhe me më shumë emër se ky që kemi aktualisht me një numër të reduktuar studentësh”, ravijëzoi rektori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore