Përballje

UFC/ Adesanya mbron titullin e peshave të mesme përballë Whittaker


Kampioni i peshave të mesme të UFC-së, Israel Adesanya, e ruajti titullin kundër ish-kampionit Robert Whittaker me vendim unanim në Houston.

Nigeriani Adesanya e mposhti Whittaker-in në raundin e dytë në UFC 243 në tetor të vitit 2019 për të fituar titullin e padiskutueshëm në peshën e mesme në Melburn.

Por në ndeshjen e kthimit të së shtunës në UFC 271 në Teksas, Whittaker luftoi me një formë ndryshe nga hera e kaluar, gjë e cila e mbajti atë në garë deri në fund të ndeshjes.

Pasi përballja e tyre e ngushtë për titullin në Toyota Center shkoi në distancë, të tre gjyqtarët ishin dakord për fituesin dhe Adesanya iu dha vendimi unanim me rezultatet 48-47, 48-47, 49-46.

32-vjeçari, Adesanya, e rrëzoi Whittaker-in, me një gjuajtje të fuqishme në minutat e hapjes së meçit dhe kundërshtari u demoralizua pas raundit të parë, ndërsa i tha ekipit të tij se sa probleme kishin shkaktuar goditjet e Adesanya-s.

Por, për pjesën e mbetur të meçit, Whittaker u përpoq ta mbante Adesanya-n larg dhe të godiste atë në ndonjë moment të papritur për të fituar ndeshjen.

“E dija se ai do të sillte gjithçka, sepse herën e fundit i morra gjithçka”, i tha Adesanya ish-kampionit të UFC-së, Daniel Cormier, gjatë intervistës së tij pas ndeshjes.

“Pra, ai nuk kishte asgjë për të humbur. Dhe siç thashë, unë jam kampioni”.

Adesanya vazhdoi të deklarojë synimin e tij për t’u kthyer në lojë në qershor kundër pretendentit të peshës së mesme Jared Cannonier, i cili shënoi një fitore mbresëlënëse në Houston.

Whittaker, ndërkohë, mbeti i zhgënjyer pasi mendoi se kishte bërë mjaftueshëm për të rimarrë titullin.

“Unë e di se kam filluar me vështirësi në atë raund të parë, por ndihem sikur kam marrë çdo raund pas kësaj”, tha ai.

“Është kjo që është, por ju e dini se çfarë thonë ata për t’ua lënë gjyqtarëve”.

“Jam i lumtur që luftova me zemrën time dhe e lashë këtu. Por, jam i mërzitur. Mendova se bëra mjaftueshëm. Mendova se e mora titullin”.

Në ndeshjen tjetër kryesore të natës, pretendenti australian për peshën e rëndë, Tai Tuivasa, nokautoi ish-sfiduesin e titullit Derrick Lewis për të radhitur veten në garën për titullin e kampionit.

Të dy luftëtarët hynë në tetëkëndësh me rekorde të njohura me nokaut, por ishte Tuivasa, 28-vjeç i renditur në numrin 11, ai që shënoi fitoren e ndaj numrit tre, Lewis, me një nokaut që ngriti tifozët në këmbë.

Fitorja zgjeroi ecurinë e jashtëzakonshme të formës së Tuivasa-s në pesë fitore, me të pesë ato fitore të ardhura me nokaut.

Por ky përfundim më i fundit ishte veçanërisht i veçantë pasi erdhi kundër njeriut që mban rekordin e të gjitha kohërave në nokaut në UFC.

“Ky është mbreti i nokauteve. Shumë respekt për Derrick”, tha Tuivasa pas fitores.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore