Sport

UFC 257: Ndeshjet e para të fillim-2021


McGregor vs Poirier

Kompania e mirënjohur në mbarë globin e promocionit të arteve marciale mikse (MMA) me epiqendër në Las Vegas të SHBA-ve, UFC, do të kthehet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, tek “Ishulli i Përleshjeve” (Fight Island), për të filluar axhendën e fillim-2021-shit me dy takimet kryesore e më tërheqëse përgjatë këtij eventi tetë-ditor, në edicionin e 257-të.

Sipari do të hapet në 16 janar me ish-kampionin e peshave të lehta, Max Holloway, i cili pozicionohet përballë Calvin Kattar. Më pas, në 23 janar vjen Conor McGregor me Dustin Poirier. Këta katër sfidant do të përleshen për titullin e kampionit.

Natyrisht, fokusi është te Conor McGregor dhe pritshmërive po aq të larta sa dhe rikthimi i bujshëm i tij në këtë kompeticion prestigjioz, pas humbjes me kampionin e padiskutueshëm të peshave të lehta, Khabib Nurmagomedov.

Ylli i MMA-së, si dhe ish-kampioni i dy peshave të ndryshme, Conor McGregor, nuk është konkurrent i huaj për Poirier-in.

Ata të dy janë përballur për herë të parë në shtator të 2014-ës. Meçin e fitoi irlandezi në raundin e parë, ndaj, për ‘Diamantin’ (nofka e Poirier) amerikan është më shumë se një revansh dhe rrugë e mundshme për titullin e kampionit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore