Lajme

Udhëheqësit e së majtës gjermane dënojnë ‘tubimin paqësor’ për përfshirjen e ekstremit të djathtë


Një “tubim paqësor” që do të zhvillohet në Berlin këtë fundjavë, duke dënuar eksportet e armëve perëndimore në Ukrainë, është kritikuar nga udhëheqja e partisë së majtë Die Linke.

Kritikë kjo për dështimin për t’u distancuar nga grupet e ekstremit të djathtë që kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre.

Policia pret që rreth 10 mijë njerëz të marrin pjesë në mitingun e së shtunës, i cili është i bashkë-organizuar nga një ish-udhëheqëse renegate e Die Linke, Sahra Wagenknecht.

Sakaq, një kundërprotestë e mbështetur nga politikanë dhe intelektualë publikë, përfshirë fituesen e çmimit Nobel për letërsinë Herta Müller, është regjistruar në Berlin pasditen e së premtes.

Wagenknecht ka thënë se nuk donte të shihte simbole neo-naziste në protestën e saj.

“Ne e kemi bërë të qartë se simbolet e ekstremizmit të djathtë nuk kanë vend në këtë tubim. Por sigurisht, të gjithë janë të mirëpritur që duan të demonstrojnë për paqe me zemër të hapur”, ka thënë ajo.

Wagenknecht e ka përcaktuar temën e tubimit të saj si një “manifest për paqen” dhe se mbështetja ushtarake perëndimore për përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës thjesht po zgjat  një konflikt që në mënyrë të pashmangshme do të zgjidhej në tryezën e bisedimeve.

Dhe se kërkesat e Volodymyr Zelenskiy-t për avionë luftarakë dhe raketa me rreze të gjatë mund ta tërheqin Gjermaninë në një luftë bërthamore.

Nënshkruesit origjinalë të manifestit prej 70 personash ishin kryesisht figura të shquara të lëvizjes së paqes gjermane perëndimore të viteve 1970 dhe ‘80, duke përfshirë kantautorin Reinhard Mey, komisionerin e qendrës së majtë të BE-së Günter Verheugen dhe ish-kreun e Kishës protestante gjermane Margot Kässmann.

Ndërkohë, manifesti është përqafuar edhe nga e djathta ekstreme. Në mesin e gjysmë milioni nënshkrimeve që i janë shtuar peticionit në internet është ai i Tino Chrupalla, një bashkë-drejtues i partisë së ekstremit të djathtë Alternativa für Deutschland (AfD).

Grupe nga spektri ekstremist i djathtë, duke përfshirë lëvizjen rinore Freie Jugend të Saksonisë dhe revistën neofashiste Compact, kanë inkurajuar pjesëmarrjen në tubimin e së shtunës në kanalet e tyre të mediave sociale.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore