Lajme

Trump vendos sanksione të reja për Kubën


Administrata Trump ka rifutur Kubën në listën e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin duke i vendosur sanksione të reja.

Sanksionet e reja do të jenë pengesë për presidentin e zgjedhur, Joe Biden në përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Kubën.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, bëri publik vendimin në lidhje me shtetin komunist.

Gjatë fjalës së tij, ai veçoi disa problematika kryesore në lidhje me Kubën që detyruan SHBA-në të marrë këtë vendim.

Problematikat lidhen me strehimin e të arratisurve nga SHBA-ja, refuzimin për të ekstraduar komandantët guerilë kolumbianë si dhe mbështetjen e Kubës për udhëheqësin e Venezuelës, Nicolás Maduro.

Vendimi i administratës Trump, vjen para se Joe Biden të marrë detyrën më 20 janar.

Administrata Trump ka rritur në mënyrë të vazhdueshme kufizimet në fluturime, tregti dhe transaksione financiare midis SHBA-së dhe Kubës.

Sanksionet e fundit e vendosën Kubën krahas Koresë së Veriut, Sirisë dhe Iranit si të vetmet shtete që konsiderohen sponsorizues shtetërorë të terrorizmit.

Pas sanksioneve, shumica e udhëtimeve nga SHBA-ja në Kubë do të ndalohen.

Një tjetër ndalim do të lidhet me bllokimin e remitancave në dërgesat nga SHBA-ja në Kubë.

Remitancat kanë qënë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për popullsinë kubane.

Historiku i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kubës

Heqja e Kubës nga lista e zezë kishte qenë një nga arritjet kryesore të politikës së jashtme të ish-Presidentit, Barack Obama.

Gjatë administratë së tij, Obama u përpoq të normalizonte marrëdhëniet me shtetin kubanez.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u prishën, pasi Fidel Castro mori pushtetin në 1959.

Pas marrjes së detyrës, Trump sulmoi vendimet e administratës Obama në lidhje me Kubën.

Trump ka akuzuar Kubën për mbështetje ndaj Maduro-s si dhe për sulme ndaj diplomatëve amerikanë në Havana.

Kuba ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të kthejë të arratisurit amerikanë që kanë marrë azil.

Përveç statusit të refugjatëve politikë, të arratisurit amerikanë kanë marrë strehim falas, kujdes shëndetësor dhe përfitime të tjera nga qeveria kubane.

Kuba ka pasur një aleancë të gjatë me Maduro-n.

Shteti ishullor ka mohuar akuzat që ka 20 mijë trupa ushtarake dhe agjentë të inteligjencës së Venezuelë-s.

Marrëdhënia midis dy vendeve është forcuar në dy dekadat e fundit.

Venezuela ka dërguar sasi të mëdha nafte në Kubë duke marrë në këmbim punonjës dhe personl të shumtë mjekësor.

Në maj të 2020, Departamenti i Shtetit e futi Kubën në listën e vendeve që nuk bashkëpunojnë me programet amerikane kundër terrorizmit.

Vendimi erdhi pas refuzimit të Kubës për të ekstraduar një grup rebel kolumbian, të akuzuar për një sulm terrorist në Kolumbi.

Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka deklaruar se Kuba ishte viktimë e terrorizmit.

Ai ka përmendur sulmin e armatosur ndaj ambasadës së Kubës në Washington në prill të vitit të kaluar./AlbaniaPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore