Lajme

Tornadoja e fuqishme në SHBA: Kompania “Amazon” kritikohet për sigurinë dhe shëndetin e punonjësve


Pamje nga kompania "Amazon" pasi u godit nga një tornado vdekjeprurëse në Edwardsville, Ill, të shtunën, 11 dhjetor 2021. 

Kompania “Amazon” e Jeff Bezos po përballet me pyetje mbi politikat e shëndetit dhe sigurisë në një magazinë në shtetin amerikan të Illinois pasi gjashtë punëtorë vdiqën kur ndërtesa u shkatërrua nga një tornado që përfshiu Kentucky-in.

“Kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të kujdeseshin për jetët mbi produktivitetin”, komentoi motra e njërës prej viktimave në rrjetet sociale.

Ndërsa kompania ka deklaruar se ekipi i saj kishte “punuar shpejt” në përgjigje të tornados. Çatia u shemb ndërsa stuhia goditi magazinën të premten.

“Amazon” pas shkatërrimit nga tornadoja vdjekjeprurëse në Edwardsville, Ill, 10 dhjetor 2021.

Kelly Nantel, një zëdhënëse e “Amazon” tha në një deklaratë se kompania është “thellësisht e pikëlluar” nga vdekjet.

Një nga ata që vdiqën, Clayton Cope, 29 vjeç, foli me familjen e tij në telefon pak para se ndërtesa në qytetin e Edwardsville, Illinois të goditej.

Nëna e Clayton, Carla, tha se ajo kishte thirrur djalin e saj për ta paralajmëruar atë për afrimin e tornados.

Janë ngritur pyetje nëse kishte strehim adekuat, nëse punëtorët u këshilluan të shkonin menjëherë atje dhe nëse turnet duhej të kishin vazhduar atë mbrëmje, duke pasur parasysh paralajmërimet për mot të ashpër.

Një gjysmë rimorkio e madhe rrokulliset dhe shtyhet kundër një ndërtese në Bowling Green, Ky., të shtunën, 11 dhjetor 2021.

Sipas “Amazon” Edwardsville mori paralajmërime për tornado midis orës 20:06 dhe 20:16 me kohën lokale (01:06 dhe 01:16 GMT) përpara se tornado të godiste ndërtesën në orën 20:27, “duke ndodhur jashtëzakonisht shpejt”.

Kompania tha se ekipi punoi “jashtëzakonisht shpejt” për të siguruar që sa më shumë punonjës dhe partnerë të mund të arrinin në vendin e “strehës”.

Nga “Amazon” u tha se pas një procedure paralajmërimi të kompanisë për tornado ishte që të gjithë punonjësit të “njoftoheshin dhe të udhëzoheshin të zhvendoseshin në një strehë të caktuar dhe të shënuar në vend”.

Shumica e ekipit ishin strehuar në “lokacionin kryesor të caktuar”, tha firma, por një grup i vogël ishte strehuar në një pjesë të ndërtesës që u godit nga tornado. “Kjo është vendi ku ndodhi shumica e humbjeve tragjike të jetës,” tha Amazon.

Por motra e Clayton, Rachel i tha medias shtetërore britanike “BBC-së” se nga biseda mes vëllait dhe prindërve të saj kuptoi se atij dhe punëtorëve të tjerë nuk iu tha menjëherë të strehoheshin pasi u dëgjua sirena e parë paralajmëruese.

Stuhitë vdekjeprurëse përfshinë gjashtë shtete amerikane të premten në mbrëmje, duke shkaktuar vdekjen e 74 njerëzve dhe dëmtimin e shtëpive dhe bizneseve mbi një zonë prej 200 miljesh (322 km) në Mayfield, Kentucky, ku tetë vdekje u konfirmuan në një fabrikë qirinjsh.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se stuhia ishte intensifikuar me shpejtësi pasi goditi magazinën e “Amazon-as” me erëra që arrinin 150 milje në orë (241 km në orë), duke hequr çatinë nga struktura e madhësisë së fushës së futbollit. Muret prej betoni 11 inç (28 cm) të trasha ranë.

Të hënën, Departamenti i Punës në SHBA tha se një hetim mbi shembjen e ndërtesës është hapur nga Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Rebecca Givan, profesoreshë e asociuar në Shkollën e Menaxhimit dhe Marrëdhënieve të Punës të Universitetit Rutgers, tha se kompanitë kanë një kërkesë ligjore për të mbajtur një vend pune të sigurt, por ndëshkimet për shkeljen e tij janë shumë të dobëta.

Nga pikëpamja etike, ajo tha se kompanitë duhet “të kenë prioritet shëndetin e punonjësve të tyre dhe nëse duhet t’u komunikojnë klientëve se dorëzimi do të zgjasë pak më shumë, ata duhet të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë”.

Themeluesi i firmës, Jeff Bezos, është kritikuar gjithashtu pasi postoi foto të astronautëve që sapo ishin kthyer nga një udhëtim turistik në hapësirë ​​me raketën e tij “Blue Origin”.

Më vonë ai shkroi në Twitter se, “lajmi nga Edwardsville është tragjik. Ne jemi me zemër të thyer për humbjen e shokëve tanë të skuadrës atje, dhe mendimet dhe lutjet tona janë me familjet dhe të dashurit e tyre”.

Ndër të tjera “Amazon” ka deklaruar se po dhuronte 1 milion dollarë për Fondacionin e Komunitetit Edwardsville, si dhe po ofronte furnizime ndihmash duke përfshirë transportin, ushqimin dhe ujin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore