Lajme

Tornadot në Kentucky, SHBA: Grupet e shpëtimit vijojnë punën për të gjetur të zhdukurit në qytetet e rrafshuara


Pamje me dron.

Guvernatori i Kentucky-it, Andy Beshear, të hënën e 13 dhjetorit ka reaguar mbi “traumën e patregueshme” në shtetin e tij, teksa konfirmoi se tornadot e fundjavës kanë vrarë të paktën 64 banorë.

Mes viktimave kishte dhe bebe dhe mosha e të vdekurve niste nga pesë muajsh deri në 86 vjeç dhe vinin nga të paktën tetë qarqe të ndryshme – me 18 persona ende të paidentifikuar.

Beshear tha të hënën se të paktën 105 persona mbeten të zhdukur dhe se më shumë vdekje mund të konfirmohen së shpejti.

Përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit kanë vazhduar në të gjithë Kentucky-in Perëndimor.

Punonjësit e urgjencës, duke përfshirë 300 anëtarë të Gardës Kombëtare, kanë pastruar mbeturinat për të mbijetuarit dhe kanë shpërndarë ujë dhe gjeneratorë për banorët.

Sipas Guvernatorit edhe qentë po përdoren gjithashtu për të ndihmuar në kërkimin nëpër rrënoja, duke shtuar se “ne jemi ende duke gjetur trupa” në disa vende.

“Nuk po ja kaloj aq mirë sot dhe nuk jam i sigurt se sa prej nesh jemi”, tha guvernatori, dukshëm i emocionuar gjatë një konference për shtyp të hënën. “Njerëzit e Kentucky-it Perëndimor kanë kaluar një traumë të papërshkrueshme”.

Mijëra njerëzve u janë shkatërruar banesat e tyre dhe rreth 30 mijë shtëpi janë ende pa energji elektrike.

Guvernatori ka hapur parqe shtetërore për familjet e prekura dhe është zotuar të sigurojë 5 mijë dollarë shpenzime varrimi për çdo familje që ka humbur një të dashur.

Ai ka urdhëruar gjithashtu të ulen të gjithë flamujt shtetërorë për një javë në nder të viktimave. Ndërkohë, të paktën 13 vdekje janë raportuar në katër shtete të tjera të SHBA-ve.

Në Illinois, gjashtë persona u vranë në një magazinë të shembur të kompanisë “Amazon” në Edwardsville dhe të tjerë rezultuan të zhdukur.

Katër vdekje u konfirmuan në Tennessee, ndërsa dy persona u vranë në Arkansas, njëri prej tyre në një shtëpi pleqsh pasi u shemb pjesërisht. Një vdekje u konfirmua në Missouri.

Një tornado u raportua gjithashtu në Mississippi.

Të dielën, presidenti Joe Biden e përshkroi ngjarjen tragjike si “një nga shpërthimet më të mëdha” të stuhisë në historinë amerikane.

Biden shpalli një fatkeqësi të madhe federale në Kentucky dhe urdhëroi që ndihma federale të vihej në dispozicion për zonat më të goditura.

Presidenti tha se do të vizitojë shtetin të mërkurën për të vëzhguar dëmet nga stuhia dhe për të mbikëqyrur reagimin federal. Zyrtarët e Kentucky-it kanë kredituar administratën për shpejtësinë e reagimit të saj.

Më tej Biden ka thënë se do t’i kërkojë Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të shqyrtojë se çfarë roli mund të ketë luajtur ndryshimi i klimës në stuhitë.

Më parë, stuhia më e gjatë që një tornado kishte udhëtuar përgjatë tokës në SHBA ishte një prej 219 miljesh në Missouri në mars të vitit 1925 që mori 695 jetë.

Ngjarje të tilla madhore jashtë muajve të pranverës dhe verës janë jashtëzakonisht të rralla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore