Lajme

Teste për nxënës, jo për mësimdhënës


Testimi i mësimdhënësve në Kosovë, i propozuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka hapur polemika në vend.

Përveç Ministrisë askush tjetër nuk e do këtë proces, as vetë mësimdhënësit.

“Arsyeja e kundërshtimit për testim të mësimdhënësve është se po konsiderohet si ide e gabuar dhe si e tillë nuk duhet të realizohet”, thotë Arbër Ymeri, profesor i Gjuhës Shqipe.

Ymeri, në vend të testimit po kërkon që mësimdhënësëve tu bëhet vlerësimi i performancës.

“Kjo realizohet nëpërmjet rritjes së numrit të inspektorëve. Një praktikë e tillë do të eliminonte komoditetin dhe “rehatinë” por, në të njëjtën kohë do rriste presionin dhe nivelin e përgjegjësisë të mësimdhënësit”, thotë ai për Albanian Post.

Ymeri ka shtuar se testimi i mësimdhënësve do e përkeqësonte edhe më shumë nivelin, “duke shkaktuar konfuzitet dhe paqartësi të mëdha si shumë procese të tjera që kanë filluar dhe kanë mbetur gjysmë ose kanë rezultuar si të pasuksesshme”.

Ndërsa, insiston që performanca është vlerësimi më real për mësimdhënësit.

“Patjetër që duhet të kemi një vlerësim të performancës në mënyrë të vazhdueshme, të realizuar shumë mirë, por jo testim në mënyrë klasike sepse nuk prodhon asnjë efekt në nivelin e ngritjes së cilësisë së përgjithshme”.

Idenë për testimin e mësimdhënësve po e kundërshtojnë ashpër përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Rrahman Jashari nga SBASHK-u, thotë se një test i tillë për mësimdhënësit do të ishte nënçmues dhe degradues për ta.

“Ata janë testuar nga profesorët e tyre në fakultet me vite dhe pastaj dija e tyre, vazhdimisht ka qenë e testuar dhe vet diplomimi i tyre tregon se fakulteti garanton se ata janë kuadro të përgatitur”.

Si sgjidhja Jasharit e vlerëson fuqizimin e departamentit të inspektorëve të arsimit.

“Të ketë sa më shumë inspektorë profesional të cilët do të shkonin në shkolla të Kosovës do të hospitonin në orë dhe do të shihnin angazhimet arritjet e mësimdhënësve”.

Ai testin me shkrim po e sheh si goditje ndaj personalitetit të mësuesit.

“Ne konsiderojmë se mësimdhënësit e Kosovës të sistemit arsimor janë përgatitur mjaftueshëm në universitet por ata duhet mbështetur dhe kontrolluar përmes inspektorëve profesional, ngase mësimdhënësit në punë janë pranuar për të bartur dijen që kanë tek nxënësit”, ka shtuar Jashari.

Jashari thotë se testimi i mësimdhënësve nuk e ndihmon përmirësimin e arsimit në Kosovë.

“Kjo vetëm do të ishte një provë e keqe, degradim dhe do ta kishim një opinion të keq kur njerëzit do të thoshin se mësimdhënësit janë aq të dobët dhe i kanë dërguar për të u testuar”.

Jashari kërkon të përcillen orët mësimore.

“Ne jemi të sigurt se mësimdhënësit e Kosovës, në përgjithësi mund të ketë aty këtu ndonjë individ ka gabuar profesionin por shumica absolutë e tyre janë të përgatitur për punë  por atyre duhet ndihmuar duke i përcjellë në orët mësimore”.

Testimin e kundërshtojnë edhe njohës të fushës së arsimit.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, thotë se duhet të ketë mbikëqyrje të vazhdueshme të përformancës së mësimdhënësve, mirëpo që vlerësimi nuk parasheh testimin.

“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është i përcaktuar ligjërisht, dhe ky vlerësim nuk parasheh testimin, sikurse që testimi nuk është prezantuar as si objektivë qeveritare, pra, me gjasë nxitja për debat ka për burim një keqkuptimin institucional mes MASHTI-të dhe SBASHK-ut”, ka thënë Qehaja.

Sipas Qehajës, testimi paraqet një instrument të kufizuar që edhe po të prezantohej nuk do të mund të përcaktonte me saktësi përgatitjen profesionale të mësimdhënësve.

“Mësimdhënia përbëhet nga shumë komponentë vlerësimi i të cilës kërkon përkushtim dhe kapacitet profesional”, tha ai për Albanian Post.

Po ashtu shton, se përmirësimi i cilësisë së arsimit është subjekt i rritjes së llogaridhënies, e kjo përfshinë edhe një vlerësim meritor të performancës së mësimdhënësve.

“Si pikënisje nevojitet të rishikohet legjislacioni dhe kapacitetet për zbatim të vlerësimit, për të garantuar një proces të mirëfilltë dhe profesional, që do të inkurajonte dhe shpërblente mësimdhënësit e mirë, por edhe do të ofronte mundësi për përmirësim për këdo të identifikuar me ngecje në performancë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore