Lajme

Tërheqja e ushtrisë dhe arrestimi i Radojiçiç-it hapa të duhur, thotë Hill


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është shprehur i lumtur me tërheqjen e ushtrisë serbe nga kufiri me Kosovën dhe ndalimin për 48 orë të terroristit dhe të sanksionuarit të SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, Milan Radojiçiç.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug, diplomati veteran amerikan thekson se dy hapat e ndërmarra nga ana e Serbisë pas sulmit terrorist në Manastirin e Basnjksës janë tregues se situata është kthyer në binarë dhe po ecë në drejtimin e duhur.

Prezenca e shtuar e trupave përgjatë kufirit me Kosovën, sipas Hill ka shkaktuar shqetësim të madh në Shtëpinë e Bardhë, prandaj e njëjta ka kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre.

“Ne jemi shumë të kënaqur që mund të themi se kjo ndodhi”, tha ai.

Duke folur për situatën e krijuar të dielën e 24 shtatorit në Komunën e Zveçanit, top-diplomati amerikan tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-të duhet të dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur atë ditë.

“Mendoj se arrestimi i Radojiçiç-it, i cili duket se e ka pranuar fajin për shumicën e gjërave që kanë ndodhur, ishte një hap i mirë. Megjithatë, mendoj se ne të gjithë duam të dimë se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë, çfarë donin të arrinin, ku i gjetën gjithë ato armë dhe municione”, shtoi ai.

Situata në terren, sipas Hill ka dëshmuar si problemi në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhet në mënyrë ushtarake, por politike.

“Këto lloj krizash duhet të zëvendësohen nga një proces politik që i bën të gjithë të ndihen rehat, në mënyrë që kur të zgjohen në mëngjes të mos shqetësohen për çështjet e sigurisë. Ne synojmë ta bëjmë këtë”, tha Hill.

Kësisoj ai ka ripërsëritur kërkesën amerikane për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne duam të shohim formimin e Asociaiconi. Është e drejtë të thuhet se Kurti nuk është entuziast për këtë, por mendoj se ai e kupton që është një nga elementët kyç në tavolinë”, pohoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore