Lajme

Telashet nuk kanë të sosur në Indi, shfaqet “Mukormikoza” te pacientët Covid


Një raportim i rënduar viktimash vjen nga India. Mes kurbave të infektimit masiv, disa pacientë që arrijnë të shërohen nga Covid-19 po shfaqin simptomat e një infeksioni të rrallë të quajtur “mukormikoza”. Sipas mjekëve kjo është si një valë e dytë vdekjeprurëse në Indi. Midis pacientëve të rekuperuar nga Covid-19 po raportohen disa rritje të rasteve me këtë infeksion që ndryshe njihet si “kërpudhat e zeza”.

Çfarë është mukormikoza?

Mukormikoza është një infeksion shumë i rrallë. Shkaktohet nga ekspozimi ndaj mykut “mukor”, i cili zakonisht gjendet në tokë, bimë, pleh organik dhe tek frutat ose perimet e kalbura. “Ajo është e kudogjendur, gjendet në tokë dhe ajër, madje edhe në hundë dhe mukusin e njerëzve të shëndetshëm”, thotë Dr Akshay Nair, një kirurg syri me bazë në Mumbai.

Ndikon te sinuset, truri dhe mushkëritë. Sakaq, mund të jetë kërcënuese për jetën tek individët diabetikë ose me probleme imunizimi, siç janë pacientët me kancer ose njerëzit me HIV / AIDS.

Nair po priste të operonte të shtunën e 8 majit, herët në mëngjes, një 25-vjeçare e cila ishte shëruar nga një periudhë tre-javore me Covid-19.

Gjatë operacionit, një specialist i veshit, hundës dhe fytit ishte duke punuar me pacientin, një diabetik.

Ai i kishte futur një tub në hundë dhe po largonte indet e infektuara me mukormikozë, një infeksion i rrallë, por i rrezikshëm i kërpudhave. Ky infeksion agresiv prek hundën, syrin dhe ndonjëherë trurin.

Pasi kolegu i tij mbaroi, Dr. Nair do të kryente një procedurë tre orëshe për të hequr syrin e pacientit.

“Do t’i heq syrin për t’i shpëtuar jetën e saj. Kështu funksionon kjo sëmundje”, tha Dr Nair.

Doktori beson se mukormikoza, e cila ka një normë të përgjithshme vdekshmërie prej 50%, mund të shkaktohet nga përdorimi i steroideve, një trajtim që shpëton jetën për pacientët e rënduar dhe të sëmurë rëndë Covid-19.

Steroidet zvogëlojnë inflamacionin në mushkëri për Covid-19 dhe duket se ndihmojnë në ndalimin e disa dëmtimeve që mund të ndodhin kur sistemi imunitar i trupit kalon në mbingarkesë për të luftuar coronavirus-in. Por ato gjithashtu zvogëlojnë imunitetin dhe shtojnë nivelet e sheqerit në gjak si te diabetikët ashtu edhe te pacientët jo-diabetikë me Covid-19.

Mendohet se kjo rënie e imunitetit mund të shkaktojë këto raste të mukormikozës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore