Shqipëria

Te të anasjellat e inteligjencës emocionale


Nuk i kundërvihet as konkretes, as ndjesores.

Është kryqëzim i të dyjave, ngjashëm si vetë emri që mbart, inteligjencë emocionale.

Dhe as nuk i rëndon njërës mbi tjetrën. Është në baraspeshë unike mes të anasjellave.

Ishte studiuesi amerikan, Daniel Goleman, i cili në vitin 1995 ia la në dorë valës së popullaritetit dhe kritikave njohjen e konceptit.

Shumëçka mund të ketë ndryshuar prej asaj kohe, por rëndësia mbetet e njëjtë. Veçanërisht te fëmijët dhe sprovat e tyre të dijes.

Mungesë e lidhjes

Afërdita Lala, këshilluese e psikologjisë, ka ndarë me Albanian Post një kërkim studimor të kryer prej saj lidhur me ndikimin e ankthit në inteligjencën emocionale të adoleshentëve para provimeve.

Gjetja, ndryshe nga çka mund të pritet, nxjerr se mes të dyjave nuk ka një lidhje të fortë.

Ajo tregon se adoleshentët, kryesisht në ambientet e shkollës, janë të ekspozuar ndaj ankthit.

“Një nga sfidat që përjetojnë nxënësit e shkollave të mesme janë provimet. Kur stresi perceptohet negativisht ose bëhet i tepërt, kjo çon në ankth para dhe gjatë provimeve dhe ndikon në arritjet e tyre akademike”, thotë Lala.

Dhe meqë ankthi i provimit kthehet në pengesë, inteligjenca emocionale konsiderohet si një nga pikat e forta që i ndihmon nxënësit ta përballojnë në mënyrë efektive atë.

Sipas këshillueses, kërkimi nxori se nuk kishte marrëdhënie relevante mes inteligjencës emocionale dhe ankthit të provimit.

“Nga mbledhja e të dhënave, studentët kishin nivel të lartë të inteligjencës emocionale në kuptimin e emocioneve të tyre. Kjo do të thotë që ata e dinë se si dhe çfarë po ndiejnë në situata të caktuara dhe janë në gjendje të kuptojnë kur ndryshojnë ndjenjat ose emocionet e tyre”, specifikon Lala.

Nxënësit e shkollave të mesme, të cilët u përfshinë në studim, raportuan nivel të lartë të inteligjencës emocionale, çka do të thotë se Inteligjenca emocionale nuk ka ndikim të rëndësishëm tek ankthi i provimit.

Gjithashtu ka rezultuar se inteligjenca emocionale nuk ka ndonjë ndikim të rëndësishëm te performanca akademike.

E kundërta duket se ndodh me ankthin.

“Nëse ankthi i provimit ndikon në uljen e performancës akademike, u gjet se ekziston një lidhje e rëndësishme negative e performancës akademike me ankthin ndaj provimit. Kjo tregon se me rritjen e ankthit ndaj provimit, ulet performanca akademike”, sqaron këshilluesja.

Sipas Lalës, dallimet gjinore janë me rëndësi, pasi vajzat shfaqën nivel më të lartë të inteligjencës emocionale. Dhe në trema të tjerë, inteligjenca emocionale paraqitet më e lartë te femrat krahasuar me meshkujt.

Edhe në këtë rast, e kundërta ndodh me ankthin ku nuk dallohen ndryshime ndërmjet dy gjinive.

Si rezultat i përgjithshëm, Lala tregon se “ankthi i provimit në një nivel të konsiderueshëm i ul performancat akademike, si dhe pengon nxënësit në përmbushjen e qëllimeve të tyre”.

Prandaj, “shkaqet e tij duhet të identifikohen me kujdes, në mënyrë që programi i nevojshëm i menaxhimit dhe ndërhyrjes të mund të zhvillohet dhe të jepet kur është e nevojshme”.

Inteligjenca emocionale, pikë kthese

Psikologe Elona Braçja tregon për Albanian Post se është tejet e rëndësishme për nxënësit që t’i njohin emocionet e tyre, ndryshe të kenë inteligjencë emocionale.

“Inteligjenca emocionale ndryshe konsiderohet si aftësia e individëve për të njohur emocionet e tyre dhe ato të të tjerëve. Nganjëherë, duke dalluar edhe ndryshimet në mes të ‘nuancave’ të ndryshme të ndjenjave dhe vlerësimin e tyre në mënyrë adekuate”, shpjegon ajo.

Ky informacion i përftuar i ndihmon këta individë të orientojnë mendimin dhe sjelljen, si dhe t’i rregullojnë ato në raport me mjedisin që i rrethon.

“Është me rëndësi sepse kryerja e plotë e personalitetit individual varet nga inteligjenca emocionale, si dhe me shkathtësitë e tjera emocionale që rezultojnë vendimtare për t’u inkuadruar në shoqëri”, ka veçuar Braçja.

Për të, është e nevojshme të njihet lidhja mes emocioneve, mendimit dhe veprimit sepse nxënësit duhet të mësojnë se në njëfarë mase, emocionet mund të menaxhohen, rregullohen dhe kontrollohen.

“Bota jonë emocionale ka potencialin për të ndikuar në të menduarit tonë. Për shembull, nxënësit mësojnë dhe kryejnë detyrat më shumë sukses kur ata ndihen të sigurt, të lumtur dhe të ngazëllyer për një lëndë të caktuar”, tregon psikologia.

Sipas saj, emocionet mund të ndërhyjnë në mësimin e nxënësve në disa mënyra.

Si në kufizimin e kapacitetit për të ekuilibruar emocionalitetin në çështjet e punës shkollore, krijimin e ankthit në mënyrë specifike apo nxitjen e emocionalitetit në përgjigjet ndaj ngjarjeve në klasë.

“Emocionet negative ndërhyjnë te procesi i mësimit kur nxënësit bëhen të frustruar deri në pikën e ndjenjës së paaftësisë. Kjo tendencë mund të kompensohet nëse nxënësit mësojnë si të rregullojnë ose menaxhojnë emocionet e tyre para provimeve”, përmbyll Braçja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore