Libra

Të ngërthyer pas “Lirisë” së Lea Ypit


Të hënën e 25 tetorit, britanikja “The Guardian” i kushtoi hapësirën e radhës filozofes dhe teoricienes shqiptare, Lea Ypi dhe librit të saj më të fundit “Free: Coming of Age at the End of History”.

Korrespondenti i huaj Luke Harding, e konsideron librin e Ypit një nga titujt non-fiction (jo e trilluar) të vitit.

“Free” e Lea Ypit, shkruan Harding, është një përrallë e sekreteve familjare dhe zgjimit politik mes një regjimi të shkatërruar.

“Në vitin 1990 Lea Ypi iu kërkua të shkruante një ese shkollore. Tema ishte një ish-kryeministër që kishte mbjellë turp për atdheun e saj socialist, Shqipërinë. Ky njeri – një tradhtar, sipas mësueses së Ypit, Nora – ia kishte dorëzuar kombin në vitin 1939 fashistëve italianë. Disa muaj më vonë një bombë ajrore ra mbi kokën e tij”, shkruan “The Guardian”.

Por, ky është publikimi i disatë mbi autoren Ypi dhe kujtimet e profesoreshës përbri kritikën dhe përballjet ideologjike të kohës.

Më herët, “The Times”, e përshkroi librin dhe rrëfimin e Ypit, si një histori e tiranit në sytë e një fëmije.

“Në Shqipërinë komuniste të viteve 1980, disa objekte kishin peshë të jashtëzakonshme. Merrni një kanaçe Coca-Cola. Këto ishin aq të rralla sa njerëzit blinin kanaçe të përdorura dhe të zbrazëta për t’i ripërdorur si stoli të çmuara për xhamat e tyre. Një gur mund të zinte vendin tuaj në radhën e bukës ndërsa prisni në radhën e qumështit, por nëse nuk do ta kthenit në kohë, do të hidhej tutje, papritmas do t’i hiqej funksioni i tij”, përshkruan “The Times”.

“The Telegraph” dhe “Financial Times” e shohin në një qasje të dyfishtë librin “Free” të Ypit, bashkëngjitur “Mud Sweeter Than Honey” të Margo Rejmer.

E përditshmja britanike shkruan fillimisht se e errëta e Shqipërisë, nga viti 1944 deri në vitin 1985, ruhej nga një diktator monstruoz i quajtur Enver Hoxha.

Ai u përpoq të kontrollonte se çfarë bënin dhe mendonin njerëzit, madje edhe se si visheshin apo prisnin flokët, nënvizon “The Telegraph”.

Heshtja duket se është thyer. Këtë e kanë vërtetuar tregimet e njerëzve që kanë jetuar në dekadat e Hoxhës dhe që kanë nxjerrë në pah ndërhyrjen e tij pa mëshirë në çdo pjesëz të jetës së tyre.

Financial Times ndalet në një artikull që e “pret” Shqipërinë mes fundit të historisë – post-komunizëm – dhe rrëfimeve si gjendje “ku balta ngjan më e ëmbël se mjalta”.

Dy qasje, dy zëra, dy koncepte në artikullin e së përditshmes me seli në Londër, për Shqipërinë.

Koncepti i moderuar i fundit të historisë i filozofes dhe teoricienes shqiptare, Lea Ypi, dhe ai i polifonisë së rrëfimeve të novelistes Margo Rejmer.

Kur bien kundërshtitë ndaj ideologjive, njësoj siç Shqipëria nuk e gjeti zërin e vërtetë politik post-komunist, krejt natyrshëm ngrihet dhe koncepti i fundit të historisë.

Libri është botuar dhe ka dalë në shitje online nga shtëpia prestigjioze botuese Penguin Books.

Që prej muajit shtator, Ypi është pjesë e bordit të ri të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore