Libra

Lea Ypi: Si të gjejmë lumturinë brenda përgjegjësisë


Në një artikull të publikuar nga Shtëpia Botuese prestigjioze “Penguin” me titullin Autorët mbi idetë më të mira që kanë mësuar prej një libri, filozofja dhe teoricienja shqiptare Lea Ypi shpjegon idenë më të rëndësishme që ajo ka mësuar në një libër.

“Ideja më e mirë që kam lexuar ndonjëherë në një libër vjen nga Kritika e Arsyes Praktike e Immanuel Kant-it: një diçka që quhet ‘imperativi kategorik’”, është përgjigjur ajo.

“Kur isha fëmijë, më thuhej që gjithmonë të kryej detyrat e mia, dhe gjithmonë vrisja menden pse. A ishte kjo për shkak se po të kryeja detyrat do të më sillte rezultate të mira? Apo sepse të rriturit ma kërkonin këtë? A ishte për arsye se kjo gjë do të më bënte të lumtur?”, shkruan Ypi në “Penguin”.

Ajo shpjegon se imperativi kategorik i Kant-it, e ka ndihmuar të kuptojë esencën e moralit.

“Ideja bazë (e imperativit kategorik) është se neve nuk na lipset të bëjmë atë që kemi për detyrë në mënyrë që të presim disa shpërblime për këtë, por sepse të kryerit e detyrës tonë është është një shprehje e lirisë sonë”, shpjegon Lea Ypi.

“Lumturia”, shtjellon ajo, “sipas kësaj llogarie, nuk është kënaqja e dëshirave tona, e as ndjekja pas e lumturisë, por një gjendje ndaj së cilës bëhemi të denjë nëse veprojmë virtytshëm. Mund të duket e ashpër, por për mua ishte çliruese”.

Filozofja Ypi thotë se të menduarit e lumturisë në këtë mënyrë e ka ndihmuar atë të zhvendosë perspektivën “prej pritshmërive të të tjerëve drejt përgjegjësive të mia për të ndryshuar gjërat”.

“Është tejet fuqizuese”, përfundon ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore