Libra

Patriotizmi i mbuluar me shallin e një erudicioni suptil


I pëlqej librat që të ngashënjejnë për të biseduar. Ky libër të ngashënjen që nga titulli.

Titulli i këtij libri (të parë) të autorit Migjen Kelmendi është “Gryka e Kohës – Nji histori mbulue me shall” (“Dukagjini”, Pejë, 1994 / UET PRESS, Tiranë, 2022 ).

Pjesa e parë e titullit po të përkthehej në anglisht do ishte – “The Gate of Time” – “Porta e Kohës”.

Edhe pse efektive, kjo sintagmë qëmoti është shndërruar në diçka mundane, të zakonshme, derisa në funksion të përkthimit – u përdor me një liri të tepruar. Dua të them, në gjuhën shqipe, “Gryka” nuk domethënë “Portë” por direkt – “Kanjon/Grykë”.

Termi “Portë” është i papranueshëm edhe nga shkaku se “Gryka” nga titulli i romanit, nuk është çfarëdo gryke, po mu “Gryka e Rugovës” – toponim për njërën nga grykat më të gjata (25km) dhe më të thella (mbi 1000m) në Evropë. Andaj, “Gryka e Kohës” nga titulli nuk është ndonjë grykë abstrakte në funksion metafore, që titulli “Gate of Time” padyshim sugjeron.

Duhet ditur që “Gryka e Rugovës” për të cilën bëhet fjalë, gjindet mu në hyrjen/ daljen e qytetit Pejë. Të gjitha ndryshimet që i sjellte dhe i merrte koha, kanë arritur në këtë qytet nëpër këtë grykë, e cila nga kjo arsye edhe është quajt në titull – “Gryka e Kohës”.

Edhe pjesa e dytë e titullit të fton për të biseduar, sepse fjalia “një histori mbuluar me shall” është një formulim provokativ, fjali e cila mundet por nuk domethënë se duhet të kuptohet tekstualisht. Për mua, ‘një histori” në këtë shembull në të vërtetë ka kuptimin e një 𝘴𝘵𝘰𝘳𝘪𝘦 – “një tregimi të mbuluar me shall”! E shalli? – As ai shall me të cilin është i mbuluar tregimi për të cilin flet ky libër, nuk është çfarëdo shalli! Edhe për te kemi shumëçka për të thënë.

Pra, ashtu si gryka, po ashtu edhe ky shall nuk është një shall abstrakt, por shalli i Arifit. Arifi pra është figura qendrore, pika referuese e sistemit koordinativ shumështresor e të hapërdarë të krejt romanit. I lindur rugovas, Arifi zbret në qytetin e Pejës, i mbuluar me shall, i cili në roman funksionon si alegori e fuqishme.

Duhet ditur se “shalli i Rugovës” paraqet një pjesë tradicionale të veshjeve të meshkujve, banorë të Rugovës. Meshkujt nga Rugova krejt jetën, këtë shall dy metrash të gjatë dhe të punuar me lesh të tjerrun bojë-bore, e mbajnë të mbështjellur rreth koke. E heqin vetëm kur flenë. Me një arsye të kuptueshme.

Pra, ky shall njëkohësisht është edhe 𝘲𝘦𝘧𝘪𝘯 – mbulesë/çarçaf mortor me të cilin varroset trupi i të vdekurit – në rastet kur qefini nuk mund të gjendet në vendin ku vdekja e ka takuar.

E kjo gjë, në ato kreshtat e Rugovës, ka ngjarë shpesh. Qoftë nga shkaku se atij që e bartë, shalli vazhdimisht i kujton afërsinë e vdekjes, qoftë nga mënyra tradicionale se si shalli bartet (më e mundura në sinergji të dy faktorëve!), ky shall rugovasve u jep një vulë maskuliniteti të theksuar dhe një krenari solemne. Tanë rugovasit që i kam takuar në jetë, pa përjashtim më kanë lënë përshtypje të luftëtarëve dhe të një urtie që vetëm ata e dinë.

Kështu, gjithçka erdhi në vend të vetin: qyteti Peja, gryka e Rugovës dhe një tregim për një njeri të mbështjellur me shall rugovasish!

Pasi zbërtheva këtë, librin të ju them të drejtën më nuk e 𝘭𝘦𝘹𝘰𝘷𝘢: u zhyta në të! Nëse s’kam qenë akter i krejt këtij tregimi, kam qene dëshmitar në secilën faqe, vëzhgues prezent i kudondodhur. Nëse akterët e këtij tregimi nuk me kanë parë mua, unë kam pasur mundesinë t’i shoh ata. Nëse në botë ekziston vetëm edhe një libër që në tërësinë e tij përputhet me përvojën e lexuesit, atëherë ky është libri!

Autori përshkruan – unë shoh! I shoh majat e Bjeshkëve të Nemuna të Rugovës 𝘮𝘣𝘪 𝘳𝘦, i shoh shtëpitë e vetmuara të katundeve të Rugovës 𝘯𝘦̈𝘯 𝘳𝘦; e shoh çdo sokak dhe çdo dyqan të Pejës; i shoh fytyrat e njerëzve që i kam njohur ose takuar, të përshkruara me luciditetin dhe pedantërinë e një Robert Muzil; qartë, a thua po e mbajë në dorë, shoh çdo artikull nga reportoari enorm tregtar i Menduh Ali-begut, çdo gur nga gjithë ata që janë numëruar, e nga ata të llojit mitik e imagjinar (guri i 𝘧𝘪𝘭𝘰𝘻𝘰𝘧𝘪𝘵), dhe krijoj pasqyrën e qartë; shoh se si fluturojnë me dhjeta flutura të numëruara me precizitet taksonomik; shoh, bile edhe – ndjej aromën! – e çdo trëndafili veç e veç, nga ai shenim i llojeve të trëndafilave, me emrin e tyre popullor dhe ate latin.

Autori spjegon – unë kuptoj! Vendimet, motivet, veprimet – të Arifit i cili nga Rugova zbret në qytetin e Pejës dhe të Zahides së tij besnike, e cila kishte mbetur duke e pritur në Rugovë (derisa t’i fitojë ca para). E kuptoj Menduh Ali-begun i cili qëndron edhe pse e di se do të pushkatohet edhe Shukri begun që ikë për në Turqi; e kuptoj priftin katolik Don Gjergjin, i cili me përkushtim e shkruan 𝘍𝘫𝘢𝘭𝘰𝘳𝘪𝘯 e tij enorm të nocioneve në mënyrë që në Kombet e Bashkuara tërë botës t’ia dëshmojë se shqiptarët janë popull autokton në Ballkan; sidomos e kuptoj mirë kaçakun e moçëm Ramë

Ujkanin, i cili u kërkon një thikë për ta prerë perqen, pasi i ishte dorëzuar xhandarmëve!

“𝘑𝘦𝘵𝘢 𝘫𝘦𝘮𝘦, 𝘲𝘦̈ 𝘱𝘳𝘦𝘫 𝘡𝘰𝘵𝘪 𝘦 𝘬𝘢𝘮, 𝘬𝘪𝘴𝘩 𝘮𝘦 𝘮’𝘶 𝘥𝘰𝘬𝘦̈ 𝘩𝘦𝘥𝘪𝘫𝘦 𝘱𝘳𝘦𝘫 𝘵𝘺𝘯𝘦…𝘴𝘪 𝘮𝘦 𝘪 𝘴𝘩𝘱𝘢𝘭𝘭𝘦̈ 𝘡𝘰𝘵 𝘵𝘦̈ 𝘫𝘦𝘵𝘦̈𝘴 𝘴𝘦𝘮𝘦 – 𝘡𝘰𝘵𝘪 𝘮𝘰𝘴 𝘦 𝘥𝘩𝘢𝘴𝘩𝘵𝘦̈!”

Autori citon – unë e di! Kjo punë me citimet deri në fund më ka bindur që gjithçka në këtë libër vërtet ka qenë pjesë e përvojës sime, dhe nuk bëhet fjalë fare për 𝘱𝘢𝘳𝘢𝘮𝘯𝘦𝘻𝘪 – gabim të mbamendjes. Migjen Kelmendit i pëlqen të citojë, por gjithmonë funksionalisht. Me selektivitet aristokratik, citon autorët e cituar rrallë, e nga ata më të njohurit, zgjedhë veprat më pak të njohura, sjell fragmente të cituara rrallë. Kulmi ishte kur hasa në një vend ku Migjen Kelmendi citon Gabriele d’Annunzion. Aty për aty fillova dialogun imagjinar për d’Annunzion dhe e nisëm bisedën për veprën 𝘓’𝘦𝘱𝘪𝘧𝘢𝘯𝘪𝘢 𝘥𝘦𝘭 𝘧𝘶𝘰𝘤𝘰 (vepra 𝘕𝘦𝘭 𝘍𝘶𝘰𝘤𝘰, e ndarë në dy vëllime: 𝘓’𝘦𝘱𝘪𝘧𝘢𝘯𝘪𝘢 𝘥𝘦𝘭 𝘧𝘶𝘰𝘤𝘰 dhe 𝘓’𝘪𝘮𝘱𝘦𝘳𝘰 𝘥𝘦𝘭 𝘴𝘪𝘭𝘦𝘯𝘻𝘪𝘰), që bën fjalë për dashurinë e intelektualit te ri e briliant

Stelia (Gabriele d’Anuncio) dhe të aktores më të famshme të asaj kohe Foskarine (Eleonore Duze) diku prapa mureve të Venedikut dekadent e duke vdekur…

Në të njejtën kohë, në rrugët dhe sokaqet, jo aq dekadente por

proporcionalisht edhe më vdekatare të Pejës, zhvillohej një dramë shumë më e madhe dhe sipas pasojave pakrahasueshëm më shkatërruese sesa drama e Stelia’s dhe Foskarina’s në Venedik. Konkretisht, në pikëpamje kohore kjo dramë përfshinë një periudhë të vonë të historisë së Kosovës, vrazhdë e përkufizuar me Luftërat Ballkanike deri në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Edhe pse drama është e fokusuar në regjionin e Rugovës, fillimisht në qytetin e Pejës, ngjarjet turbulente që janë vendosur në një periudhë diku 60-vjeçare, e janë sjellur përmes fatit të personazheve qëndrore, e përfshijnë në tregim tërë Ballkanin jug-perendimor, Malin e Zi, Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Turqinë. Me përzgjedhjen e temës, kornizës kohore dhe të ngjarjeve

(parimi: koha; vendi; ngjarja – po e thamë me gjuhën e 𝘗𝘰𝘦𝘵𝘪𝘬𝘦̈𝘴 së

Aristotelit), Migjen Kelmendi, deshi s’deshi, ka prekë në zgjua grejzash! Edhe pse direkt dhe me detaje i ka përshkruar ngjarjet më dramatike dhe disa nga më tragjiket të historisë më të re të shqiptarëve në Kosovë, ndodh një çudi e paparë: as edhe një grejzë nuk e thumbon! Kërcen nga maja e malit rugovas “mbi re”, e drejt e në shtratin e lumit të shteruar të Bistricës mu në mes të

Pejës, e as nuk gërvishtet! Kalon nëpër zjarr prej Peje e deri në Shkodër, prej Ohri deri në Korçë, prej Prizreni deri në Selanik, shkel zbathur nëpër prrushin e përndezur prej Vuçitërne deri ne Mitrovicë, prej Fushës së Kosovës deri në Shkup, prej Shkupi deri në Stamboll, bile edhe deri në Beograd – e nuk digjet fare!

Virtuoz i pashoq i mirëmbajtjes së drejtpeshimit mes fakteve objektive dhe emocioneve të flakta, pa i leshuar aspak pé fakteve, Migjen Kelmendi ka bërë diçka që dukej e pamundur: e ka shkruar një libër tejet patriotik për luftën e shqiptarëve për lirinë dhe shtetin e tyre sovran, për pa e përdor as edhe një formulim të gjuhës së urrejtjes!? Nuk ia ka lejuar vetes as edhe ndonjë akuzë morale pakës më të fortë, as ndonjë kritikë të mprehtë dhe të arsyetuar të politikës hegjemoniste e praktikave gjenocidale të shteteve të cilat me tërë forcat pengonin realizimin e këtyre aspiratave historike të shqiptarëve në Kosovë – para së gjithash, për një periudhë të shkurtë, Mali i Zi, e në mënyrë të vazhdueshme – Serbia!?

Kështu, Migjen Kelmendi me vepër ka demonstruar efikasitetin e këshillës

Nietzsche’ane: “Metoda duhet të na dallojë!” Sado impresiv që është

rezultati që ka arritë – edhe më impresive është mënyra me të cilën Migjen Kelmendi i qaset kësaj teme tejet eksplozive e të nxehtë. Aspak nuk më çuditë fakti se kjo nuk i ka shkuar për dore askujt para tij, e me sa di unë, as pas tij. Që një metodë e tillë të plazmohet në një këso vepre – pa një shembull të ngjajshëm kund! – me idenë se metoda do ja krijojë diferencën, ka qenë e domosdoshme të posedosh edhe kualitetet e autorit Migjen Kelmendi! Tok me talentin letrar, që është i domosdoshëm, por jo edhe kërkesë e vetmjaftueshme, vendimtare kanë qenë edhe dy virtyte: 1.

erudicioni i rrallë, por erudicion i një lloji të veçantë: 2. natyra/karakteri i butë, pa ligësi e urrejtje!

Shumë nga ata që kanë shkruar për marrëdhëniet mes Shqiptarëve dhe (në radhë të parë por jo vetëm) Serbëve, padyshim e kanë vërtetuar talentin e tyre letrar.

Një numër shumë më i vogël i autorëve e ka demonstruar edhe erudicionin e vet, por asnjëri në këtë mënyrë siç është prezent erudicioni në romanin e Migjen Kelmendit. Natyrë të butë me siguri kanë edhe autorë tjerë që kanë shkruar pë këtë temë, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur ta frenojë mllefin dhe urrejtjen për atë që shkruan!

Pos që është impresiv, si për nga vëllimi dhe llojllojshmëria e informatave, po ashtu edhe për vlerën e vet kognitive, erudicioni i Migjen Kelmendit është i një lloji të veçantë sepse posedon dy kualiteti që gati kurrë nuk shkojnë bashkë me erudicionin: 1. Kualitetin e moderimit/vetpërmbajtjes së kultivuar dhe të theksuar me suptilitet; 2. Kualitetin e benevolencës natyrore! Kur e ke parasysh se, sipas rregullit, erudicioni nxitë vetëlavdimin dhe sidomos, inspiron ligësinë dhe lakminë, bëhet krejt e qartë se sa i rrallë është ky dyzim i këtij lloji erudicioni dhe karakteri, si kushte të domosdoshme dhe të mjaftueshme për ta shkruar këtë roman!

Është zorshme të përcaktosh se ç’është ky roman. Biografi e gjyshit të autorit, Arifit? Biografi e një qyteti? Biografi e një populli? Biografi e një pjese të atij 𝘭𝘶𝘮𝘪 𝘵𝘦̈ 𝘬𝘰𝘩𝘦̈𝘴 𝘲𝘦̈ 𝘥𝘦𝘳𝘥𝘩𝘦𝘵 𝘯𝘦̈ 𝘲𝘪𝘦𝘭𝘭, për të cilin flitnin rugovasit?

Në thelb, ky është një roman qindpërqind patriotik. Nga secila fjali shihet se autori e njeh vendlindjen dhe popullin e vet, por edhe më shumë del në pah e shihet se ai i do. Ç’është e vërteta, nuk shet mend me patriotizëm, nuk rrah gjoks me dashninë e tij. Patriotizmi i tij përthehet përmes ndjeshmërisë dhe respektit autentik por jo shumë të theksuar, nga një herë pëmes ironisë së lehtë, gjithmonë me mirëkuptim të thellë dhe evitim të edhe më të voglit gjykim e akuzim.

Ky libër është aq i rrallë, për me qenë edhe më i saktë – unikal! – sepse patriotizmi i tij, sado lehtë i dalluar po aq i paimponuar, mbuluar me shallin suptil prej erudicioni, benevolencës së kultivuar dhe në fund, një faktori veçanërisht të rëndësishëm – natyrës së butë të autorit.

Ky libër nuk do ju bëjë me pezëm, as të ju bëjë që të vuani; nuk do ju shqetësojë e as të ju shkallmojë. Ky libër do ju japë mundësinë që ta mblidhni veten, do ju hapë sytë për shumë pjesë të jetës që keni harruar se ekzistojnë, do ju kthej nga vetvetja – do ju fisnikërojë.

A do ketë më këso librash aq të nevojshëm e të çmuar – pa mllef, pa urrejtje! – për marrëdhëniet ndërnacionale në Ballkan? Do të ketë. Nëse Migjen Kelmendi vendosë ta shkruaj edhe një tjetër. Ata që thonë se ky libër nuk do ndryshojë asgjë me rëndësi në raportet ekzistuese, duhet t’i kujtojmë që libri tashmë ka vërtetuar se çdo patriotizëm i vërtetë, njisoj po si ai shalli bardhë si bora i rugovasve: me te jetohet, me te vdiset. Shall që kurrë nuk nxihet!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore