Shqipëria

Fundi i historisë në rrëfimet e “baltës së ëmbël”


Një artikull që “pret” Shqipërinë mes fundit të historisë – post-komunizëm – dhe rrëfimeve si gjendje “ku balta ngjan më e ëmbël se mjalta”.

Dy qasje, dy zëra, dy koncepte në artikullin e së përditshmes me seli në Londër, “Financial Times”, për Shqipërinë.

Koncepti i moderuar i fundit të historisë i filozofes dhe teoricienes shqiptare, Lea Ypi, dhe ai i polifonisë së rrëfimeve të novelistes Margo Rejmer.

Kur bien kundërshtitë ndaj ideologjive, njësoj siç Shqipëria nuk e gjeti zërin e vërtetë politik post-komunist, krejt natyrshëm ngrihet dhe koncepti i fundit të historisë.

Por, kjo sa i takon leximit të autorit amerikan Francis Fukuyama.

Kjo gjendje e botës nuk ishte testamenti i Fukuyama-s, ngase në periudhën kur komunizmi u fashit nga faqja e dheut e gjithë marrëdhënia globale mes ideologjive u përmbush në një homeostasis (të ndaluarit para se diç të jashtësohet).

Dhe Shqipëria u bë shtëpia e këtyre ideve iliberale që nuk gjejnë universalitet në një komb që ende nuk e dinte se çfarë ishte komunizmi dhe roli i Stalini-t tek Enver Hoxha si Hegel-i tek Kojeve.

Duke iu rikthyer përshkrimit të FT-së, artikulli merr shkas nga objektet historike – të këputur më shumë se të harruar.

“Në Galerinë Kombëtare të Tiranës është një Lenin me krahë të thyer, disa Stalinë dhe një Enver Hoxha me hundë të thyer”.

Në narrativën e rritjes së autores Ypi në Tiranë, Hoxha si ish-diktator nuk jetonte më.

Por, ai ende mbizotëronte mbi jetën e njerëzve të tij.

Fillimi i fundit të historisë

Statuja e Stalin-it bëhet objekt i parë nominal midis trupit artistik dhe kokës së fryrë si dandelion.

“11-vjeçarja Ypi shkoi pas shkollës për të përqafuar statujën e Stalinit në qytetin e saj të lindjes, Durrës. Sidoqoftë, tani njerëzit po protestonin dhe, teksa ngriti sytë, ajo kuptoi se Stalini tashmë kishte humbur kokën”.

Njësoj si Shqipëria komuniste, e cila përcaktoi rrugën e saj, duke u bërë aleate dhe më pas duke u prishur me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe më pas Kinën, Ypi nuk po dakordësohej me veprimet e orvatjet e shumë prej bashkëkohësve të saj.

Kur u mendua se e keqja ishte prapa krahëve, Ypi mbeti me krahët ngërthyer kah leximit e shkrimit.

Arsyeja ishte ardhja e paralajmëruar e një konflikti post-ideologjik, që kulmoi me avullimin e plotë të shtetit në vitin 1997.

“Tani nuk ka asgjë, vetëm një mallkim”.

Këto ngjarje përcaktuan dhe fatet e jetës së Ypit, e cila pikënisi një rrugëtim ende prodhimtar të dijes ndajshtuar eksperiencës dhe sprovave medituese – në mendim dhe aq sa mbetet ndjesi.

Gjyshërit e Lea Ypit: Fotografitë e Lea Ypit

FT-ja vëren se Ypi ecën me mjeshtëri midis realitetit komik dhe vdekjeprurës të vendit ku ajo u rrit.

E përditshmja britanike merr fjalën nga intervista e “The Guardian”, e cila ngjet me një autoritet të rremë që Lea Ypi rritet teksa njeh aq sa dëgjon dhe nuk dëgjon aq sa sheh.

Ndarja e madhe midis gjuhës së koduar të prindërve dhe të afërmve të saj për “të burgosurit politikë” ishte hapi i parë i një kuptimi të ri dialektik në jetën e saj – bashkëngjitur ndryshimeve që po pësonte Shqipëria.

“Me rënien e komunizmit erdhi kaosi dhe jo vetëm politikisht”.

Prindërit e Ypit provuan të përfshiheshin në politikë, por pa sukses.

Për të kuptuar, ngatërresat mes estetikës dhe ngutjeve për t’u përshtatur më shpejt mendja se syri apo dora, në vitin ’92, e ëma e Lea Ypit, shkruan FT-ja, shkoi në një takim me delegacionin e grave franceze – e veshur me një fustan nate.

Mamaja e Lea Ypit: Fotografia e Lea Ypit

Asokohe ishte jashtë kontekstit etik të disa kornizave, e madje sot do të ishte një protestë ndaj vetë kornizave dhe qëndrimeve andej kontekstualeve.

Kjo është gjithashtu periudha kur Ypi vëren se “shoqëria civile” iu shtua fjalorit, “pak a shumë si zëvendësim i” Partisë”.

“Balta më e ëmbël se mjalta”

Sa u përket librave të botuar për Shqipërinë, ato kanë tendencën, sipas FT-së, të ngecin në kohë – pa e rrëfyer të vërtetën.

“Ka disa histori dhe kujtime nga burrat e Ekzekutivit të Operacioneve Speciale Britanike të parashutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shumë të tjera të asaj që si Enver-centrike”.

“Balta më e ëmbël se mjalta” e autores polake Margo Rejmer, tregon pa ventrilokuizëm (zërin apo fjalën e autorit në gojën e rrëfimtarit apo narratorit) historitë e shqiptarëve gjatë komunizmit dhe veçanërisht ato të të burgosurve të regjimit.

“Një fjalë e gabuar ose një mik që përpiqet të ikë dhe jetë të tëra janë shkatërruar”.

Rejmer citon shkrimtarin Arshi Pipa, teksa “shfryn” disa fjala të dëlirta: “Ne duhet t’i falim ata. Por si mund ta falim dikë që nuk ndihet fajtor?”.

Rrëfimet e një peshkatari “ulërijnë” njësoj si e bërtitura e Munch ndaj depresionit dhe anti-jetës – Shqipëria ishte çnjerëzore.

“Rojet e kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi godisnin një fëmijë në ujë, ndërsa ata manovronin me barkën e tyre, duke lënë që helika e saj ta bënte copa -copa. Dhe ata dukeshin prej së largu të kënaqur”.

Historia është e baltosur nga mjalta

Rejmer thotë se qëllimi i saj ishte të sigurohej që viktimat të dëgjoheshin. Qëllimi i Ypi-t është i ndryshëm.

Ypi jeton si socialiste mes ndasisë së madhe që ka me përjetimet dhe vuajtjeve të familjes së saj në “socializëm”.

“Shoqërimi i thjeshtë me idetë e një sistemi që shkatërroi kaq shumë jetë në familjen time ishte e mjaftueshme për të më bërë mua personin përgjegjës për të tërhequr këmbëzën”.

Një moment kyç (ndër shumë) vjen kur babai i saj, i cili ishte bërë drejtor i Përgjithshëm i portit të Durrësit, u detyrua të pushonte nga puna qindra romë të dëshpëruar në emër të “reformave strukturore”.

Prindërit e saj refuzuan socializmin, shkruan ajo, sepse e barazuan atë me “mohimin e asaj që ata donin të ishin”.

Për Ypin, liberalizmi barazohet “me premtimet e thyera, shkatërrimin e solidaritetit, të drejtën për të trashëguar privilegjin, duke mbyllur një sy para padrejtësisë”.

Duke mbetur në gërmadha, sistemet mund të ndryshojnë, edhe pse historia duhet rimenduar përmes mundësisë së takimit me të – muret dhe bunkerët nuk flasin, por dëshmojnë – dhe përgjigjes ndaj së kaluarës.

Duke iu referuar Martin Heidegger, një avokati të historisë dhe momentit historik e jo Nazizmit, historia është ky fraksion dhe kjo kapje në kohë ngjashëm me qenien e tij triptike.

Këto mundësi dhe këto takime “ngjajnë” si në vazhdimësi, si në ndërprerjen e saj me të tashmen – duke ndjekur faktin e padiskutueshëm të të qenit i përkohshëm, si në orientimin që kemi drejt së ardhmes.

Vendimi i bazuar i Ypit, që është objektiv, ka nevojë edhe për një ngjarje ndihmuese si Rejmer.

Shqipëria është mësuar të lexojë historinë e saj nga vendime subjektive dhe ngjarje objektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore