Lajme

Të hënën rikthehen punimet në Kuvend – “pengesë fushata zgjedhore”


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës të hënën rikthehet me mbledhjen e kryesisë, ku edhe pritet të caktohet seanca e re.

Në këtë mbledhje përveç shqyrtimit të pikave të mbetura nga seancat e kaluara, do të shqyrtohet edhe projektligji për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit dhe projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq Shoqëria Civile kërkon që deputetët e Kuvendit të punojnë më intenzivisht në realizimin e agjendës së sesionit vjeshtor.

Njohësi i çështjeve politike, Shemshi Jashari, tha se Kuvendi do e ketë më të vështirë punën për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Mirëpo, ai pret që deputetët të tregohen më të përgjegjshëm ndaj detyrës së tyre zyrtare.

“Po nëse shohim sesionin pranveror nuk ka qenë efikas, i kemi vetëm shtatë ligje të miratuara dhe mbi 100 projektligje që presin të miratohen, dhe mendoj që është e udhës që Kuvendi t’i kthehet punës. Është dashtë që Kuvendi t’i shkurtoj pushimet për shkak të pandemisë”, ka thënë Jashari.

Ai thekson se “Kuvend i ka për detyrë të jetë me efikas dhe më konkretizues apo realizimin e agjendës të sesionit vjeshtor”.

“Do të jetë pak e vështirë pasi do të hyjmë në fushatë zgjedhore, dhe diskutimi në Kuvend mund të jetë një folklor me qëllim për ta fituar ndonjë votë nga secila parti. Kjo do ta largoj Kuvendin nga agjenda e saj”.

“Është e detyrueshme që secili deputet veç e veç të jetë i fokusuar në realizimin e mandatit të vet, në përcjelljen e situatës të përgjithshme, në amendamentimin e shumë ligjeve që presin, të paktën që në aspektin procedural të mos kenë pengesa”, shtoi Jashari për EO.

Ndërsa, përmes një përgjigje me shkrim, Flutura Kusari, aktiviste, potencoi se Kuvendin e pret një agjendë jashtëzakonisht e ngjeshur, me një numër të madh të ligjeve që presin të procedohen.

“Shpresoj që deputetët nuk do ta shndërrojnë seancat plenare në teatro që ofron shfaqje argëtuese për publikun, siç ndodhë shpesh, por që do ta trajtojnë Kuvendin si institucioni më i rëndësishëm në vend që përfaqëson popullin”, theksoi Kusari.

Ajo tha se Kuvendi po ashtu do të zhvillojë shumë procedura rekrutuese si përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovë, Komisionit të Pavarur për media, “e këto procese duhet të bëhen në mënyrë sa më transparente dhe profesionale, në mënyrë  që pozitat t’i marrin ata që e meritojnë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore