Shqipëria

Tabaku, Basha dhe Këlliçi përshëndesin arrestimet e SPAK-ut, por “kaq nuk mjafton”


Kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, njëherësh dhe deputete e Partisë Demokratike (PD), Jorida Tabaku, ka përshëndetur vendimet për arrestimet e ndërmarra nga SPAK-u.

“Është një ditë e mirë për t’u përshëndetur. Por në gjykimin tonë nuk është e mjaftueshme. Kemi pasur një hap përpara në çështjen e hetimit, por ky hap përpara nuk është i mjaftueshëm”, ka thënë Tabaku në deklaratën e saj për mediat.

Më tej, ajo u shpreh se masat e marra nuk janë të mjaftueshme dhe se SPAK duhet të tregojë guxim edhe për njerëzit me pushtet.

Ndër të tjera, Tabaku tha se arrestimet e SPAK-ut erdhën “pas një pune katërmujore të komisionit, por edhe pas denoncimeve dhe kallëzimeve të PD-së, të cilat tregojnë lidhjen shkak-pasojë”.

Deputetja akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama dhe ministra apo kryetarë bashkie me përfshirjen direkte në këtë “aferë”.

“Shqiptarët presin që SPAK të tregojë guxim dhe të reagojë edhe ndaj njerëzve me pushtet. Kemi pritur që SPAK të kalojë përtej pushtetit politik. Guximi më i madh i takon SPAK-ut që të prekë personat me pushtet. Kësaj afere do t’i shkohet deri në fund, ku personat me pushtet të jenë prekur”.

Reagimi i Bashës

“Arrestimet e sotme, janë si rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe profesionale të Partisë Demokratike në Komisionin Hetimor Parlamentar”.

Kjo do të ishte deklarata e ish-kreut të PD-së Lulzim Basha fill pas arrestimeve me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të personave të përfshirë “në aferën korruptive të Inceneratorëve”, ku mes tyre ishin dhe zyrtarë të shtetit.

Sipas Bashës pavarësisht kësaj, “kjo nuk mjafton”.

“Komisioni faktoi se urdhëruesit dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj afere janë ministra dhe kryeministri”, vijon ai në median sociale Twitter.

Ndër të tjera ish-kreu i bluve thekson se, “asnjë shqiptar nuk e beson se një aferë kaq e madhe korruptive është bërë pa dijeninë e Edi Ramës”.

Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta, shqiptarët nuk mund të kenë mirëqenie”, përmbyllet postimi i Bashës.

Reagimi i Këlliçit

“Drejtësi e re me peshqit e vegjël”.

Kjo ka qenë deklarata e deputetit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, njëkohësisht ish-anëtar i Komisionit Hetimor për Inceneratorët, fill pas arrestimit të një sërë personash dhe zyrtarësh me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për çështjen e incerimit.

Në një deklaratë për mediat, Këlliçi u shpreh se arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe urdhërit të arrestimit të deputetit socialist Alqi Bllako, është vetëm fillimi.

“Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se këta janë pikënisja e kësaj afere. Prangat duhet të tunden mbi Engjëll Agaçin, Arben Ahmetajt, Erjon Veliajn dhe mbi të gjitha regjisor dhe urdhëruesin, Edi Ramën”, theksoi Këlliçi në fjalën e tij.

Sa i takon Bllakos – SPAK i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për t’i dhënë autorizim për arrestimin e tij – Këlliçi bëri me dije se duhet “t’i hapet rrugë mbledhjes së këshillit të mandatave”.

“Dua të gjej rastin të përgëzoj edhe punën që është bërë në Komisionin Hetimor. Dua të përshëndes edhe bashkëpunimin me LSI-në. Sot shqiptarët kanë parë se janë lëshuar një seri urdhër arrestesh, por për shërbëtorët”, vijoi ai.

Sakaq, kujtojmë se Këlliçi votoi kundër raportit të PD-së në parlament, sa i përket procesit të Komisionit Hetimor për Inceneratorët.

“Afera e inceneratorit na ka mësuar me fakte tronditëse dhe ka thyer rekord botëror, pasi 17 procedurat janë bërë brenda një dite. Sot është momenti për të ngritur zërin”, e përmbylli ai.

Çfarë ndodhi? 

Më herët, SPAK lëshoi nëntë urdhër-arreste lidhur me hetimet e inceneratorëve.

Mes personave të arrestuar janë Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj dhe Erjon Murataj.

Ndaj këtyre të fundit dyshohet kryerja e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Ndërkaq, ndaj Sabina Cenamerit dhe Etleva Kondit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ato dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Sakaq i pari i arrestuar për Inceneratorë ka qenë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore