Shqipëria

Komisioni Hetimor për Inceneratorët, Veliaj: Pyetjet po dërgohen nga jashtë/ Tabaku kërkon ndërhyrjen e Gardës së Kuvendit


Gjatë seancës së 22 shkurtit të Komisionit Hetimor për Inceneratorët, ka pasur debate të shumta mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryetares së këtij Komisioni Jorida Tabaku.

Shkaku i radhës kanë qenë fotot e kapura nga kamerat e Kuvendit të Shqipërisë, të cilat tregonin biseda private në telefonat e anëtarëve të komisionit, ku sipas Veliajt po marrin pyetje nga jashtë për të penguar dëshminë e tij.

“Ju paskeni lënë nam! Ju paskan çuar suflerët të gjitha pyetjet për të më penguar. Ja ku i keni, kanë dalë në portale”, iu drejtua Veliaj Tabakut gjatë momentit kur po pyetej nga anëtari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

“Pyetjet po t’i jep anëtarja e zgjedhur e AMA-s, ish-këshilltarja mediatike e Lulzim Bashës, Desada Metaj”, u shpreh Veliaj.

Tabaku ka bërë menjëherë thirrje që të ndërhyjë Garda dhe i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që të respektohet rregullorja.

“Kamerat e Kuvendit lexojnë celularët e deputetëve në Kuvend. I kërkoj Lindita Nikollës që të marrë masa menjëherë për kamerat e Kuvendit. Keni marrë kamerat e Kuvendit që lexojnë mesazhet. Kamerat e gazetarëve”, ishte thirrja e Tabakut.

Pyetjet dhe përgjigjet mes Tabakut dhe Veliajt gjatë kësaj seance janë shoqëruar me debate dhe akuza të forta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore