Shqipëria

Komisioni Hetimor për Inceneratorët përfundon mandatin, më 7 mars priten raportet


Këtë të premte të 25 shkurtit është mbyllur mbledhja e fundit e punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët.

Kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, ka treguar se më datë 7 mars pritet të votohet për raportiin përfundimtar të komisionit.

Kurse nënkryetarja, deputetja socialiste Ermonela Felaj, ka paralajmëruar daljen me dy raporte.

“Fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi kur do të miratojë raportin apo raportet. Nisi me historinë e 430 milionëshit dhe shkoi si ajo historia e gjelit që bëhet gjysmagjel me 100 milionë euro”, ka thënë Felaj.

Çështja e inceneratorëve

Fillimisht ishte Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila në dhjetor të 2021-it, shpjegoi sesi ka funksionuar skema e përdorur nga administratorët e kompanisë “Albtek Energy”, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Të dy biznesmenët përfshiheshin në pikën e tretë dhe të fundit të aktakuzës ndaj ish-ministrit të arrestuar, Lefter Koka.

Kompania “Albtek Energy” sh.p.k. , e cila është  shoqëria që ka përfituar koncesionin dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., e cila është shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit, kanë marrë fatura.

Përpos kësaj, ata kanë kryer pagesa për punime që, në të vërtetë, nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

“Albtek Energy” ka deklaruar në mënyrë fiktive 2 milionë e 950 mijë euro, ndërsa “Integrated Technology Services” 735 mijë euro.

Sipas SPAK-ut, shifrat e deklaruara si shpenzime dhe që janë fiktive janë përfituar nga ish-ministri Lefter Koka.

Koka i ka marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” për koncesionin.

Gugallja dhe Zoto si pronarë të kompanive kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave.

Kjo realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore