Kosova

Szunyog: Unë mbështes vendimin Muratit për të publikuar listën e 50 përfituesve më të mëdhenj nga fondet publike


Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka shkruar në Twitter se “unë mbështes vendimin e Hekuran Muratit për të publikuar listën e 50 përfituesve më të mëdhenj nga fondet publike të Kosovës”, një ditë pasi Ministri i Financave e bëri publikë një listë me emrat perfituseve më mëdhenj nga Pako e Rimëkombjes Ekonomike nga Qeveria Hoti.

“Një hap pozitiv drejt transparencës dhe llogaridhënies. Ky është një kusht për të cilin BE-ja ra dakord me Kosovën kur u nënshkrua marrëveshja e huasë për ndihmë makro financiare prej 100 milion euro”, ka shkruar ai.

Ai ka shkruar se “ky ishte kusht i vendosur nga BE-ja kur u nënshkrua marrëveshja për huanë prej 100 milion eurosh”.

Szunyog ka thënë se masat mbështetëse për bizneset duhet të jenë të gjitha transparente

Ndërkohë, të premten me anë të një komunikate për media ministria në fjalë kanë thënë se publikimi i kësaj liste është bërë në frymën e transparencës dhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se bashkangjitur me këtë komunikatë mund të gjejnë listën e 50 bizneseve që përfituan nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike të dizajnuar dhe ekzekutuar nga Qeveria e kaluar në tetor 2020.

“Ky publikim i kësaj liste është bërë në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend”, thuhet në komunikatë.

Pas publikimit të kësaj liste ka reaguar ish-ministrja e Financave dhe Transfereve nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Sipas saj në mungesë të argumenteve për mos vazhdimin e shtesave për pensionistët, është zhvendosur vëmendja diku tjetër.

Ajo tha se “LDK nuk i sheh bizneset si armiq por si kontribues të zhvillimit ekonomik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore