Lajme

Sveçla: Kosovën s’e lejojmë të bëhet vend i pasigurisë, vendi i kriminelëve është burgu


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa ka komentuar operacionin e realizuar nga Policia e Kosovës, ku ka mbetur i vrarë një nga personat që dyshohet se ka marrë pjesë në grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë dhe janë arrestuar disa të tjerë, ka garantuar se Qeveria e Kosovë s do të punojë që Kosova të mos bëhet vend i pasigurisë.

Sveçla, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, ka thënë se aktet e dhunës janë të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve është sjellja e tyre para drejtësisë. Ai ka njoftuar se i ka ofruar mbështetje të plotë Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar angazhimin maksimal të organeve të rendit në zbardhjen e këtij rasti që ka tronditur Kosovën.

“Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj”, ka deklaruar ai.

Një i vrarë, shtatë të arrestuar, një i dyshuar ende në arrati dhe një polic i plagosur – ky është bilanci total nga operacioni policor mbi grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë javën e kaluar, ka konfirmuar Policia e Kosovës të enjten, derisa ditëve të fundit janë regjistruar disa akte tjera të dhunës që kanë tronditur mbarë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore