Përballje

Superliga e Kosovës: Mposhtet Ballkani nga Arbëria, Drenica fiton ndaj Llapit


Dy ndeshjet e fundit të xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll, të cilat u zhvilluan të enjten, kanë prodhuar një spektakël golash.

Pas humbjes nga Drenica, skuadra Ballkanit ka bërë edhe një hap pas për titull kampion, duke u mposhtur në shtëpi nga Arbëria, me rezultat 2:3.

Mysafirët nga Lipjani e nisën shumë mirë ndeshjen, duke shënuar qysh në minutën e shtatë përmes Kreshnik Bahtiri.

Vendasit shtuan presionin ndaj kundërshtarit dhe golin e barazimit e gjetën një minutë para përfundimit të pjesës së parë, përmes Arbër Shalës që shënoi një gol të bukur nga jashtë zone.

Dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, futbollisti i Arbërisë, Kreshnik Bahtiri përsëri befasoi skuadrën e Blendi Shkëmbit duke realizuar për epërsinë e dytë në ndeshje në 1:2.

Atëherë kur Ballkani ishte duke kërkuar me ngulm golin e barazimit, mysafirët befasuan me anë të një kundërsulmi, të cilët realizuan golin e tre pikëve me anë të Agon Llugiqit.

Ballkani arriti të ngushtojë epërsinë në 2:3, përmes Arbër Hoxhës, tre minuta nga fundi, por ky gol mjaftoi vetëm për statistika pasi që tre pikët në fund i takuan Arbërisë.

Me këtë humbje, skuadra e Ballkanit ka zbehur gjasat për titull kampion, të cilët mbeten në vendin e tretë në tabelë me 67 pikë, dy më pak se Drita e vendit të dytë dhe pesë pikë larg nga Prishtina e vendit të parë.

Ndërsa Arbëria me këto tre pikë të marra, ngjitet në vendin e tetë në tabelë me 38 pikë, po aq sa ka edhe Trepça’89 e vendit të nëntë.

Ne ndeshjen tjetër të ditës së enjte, Drenica ka siguruar tre pikë shumë të rëndësishme, duke e mposhtur në shtëpi skuadrën e Llapit me rezultat 4:2.

Vendasit e nisën mirë ndeshjen duke realizuar në minutën e katërt, falë një autogoli, teksa pesë minuta më vonë, Llapi barazoi rezultatin përmes futbollistit belg, Amir Hossari.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, derisa në të dytën ishte një spektakël golash.

Drenica kaloi në epërsi tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë me anë të Donald Rapo, kurse në 10 minutat e fundit të takimit u shënuan tre gola, ku dy nga të cilët shënuan vendasit dhe një skuadra e Llapit.

Me tre pikët e marra, skuadra e Drenicës bënë një hap të mirë drejt mbijetesës, të cilët pozicionohen në vendin e pestë në tabelë me 41 pikë, kurse Llapi zbret në pozitën e gjashtë me dy pikë më pak.

Java e 34-të në Superligën e Kosovës në futboll do të vazhdojë ditën e diele, ku të gjitha ndeshjet do të zhvillohen me fillim nga ora 15:00.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore