Shqipëria

Studentët e UBT-së marshojnë drejt Kryeministrisë – tension mes protestuesve dhe policisë në Korçë


Studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) mesditën e 11 marsit kanë bojkotuar mësimin. Ata marshuan drejt Kryeministrisë në shenjë protestë kundër rritjes së beftë të çmimeve të produkteve ushqimore dhe naftës.

Njëzëri ata thërrisnin për të ndërgjegjësuar qytetarët që të dalin në protestë – “UBT proteston”, “ngrihuni nga kafja”, “fikni makinat, “poshtë qeveria”.

Sakaq, zëri i tyre është dëgjuar, duke iu bashkuar dhe njerëz të tjerë. Nga ana tjetër, Policia u ka kërkuar atyre që të qëndrojnë vetëm në njërën korsi të rrugës për të mos bllokuar kështu qarkullimin e mjeteve.

Përveç tyre, edhe studentët e Korçës janë ngritur në protestë kundër rritjes së çmimeve.

Studentëve të Korçës u janë bashkuar edhe qytetarët, ku ka pasur tension mes tyre dhe Policisë.

Kostoja e jetesës për ta është e papërballueshme me këto çmime.

Prej ditësh, shoqëria civile ka dalë në protestë në shenjë kundërshtie të vendimit të bizneseve që kanë vendosur çmime të papërballueshme.

Gjatë kësaj dite, kreu i qeverisë Edi Rama njoftoi se brenda 24 orësh do të  miratohet akti normativ dhe do të ngihet bordi kombëtar i furnizimit me karburant.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë me dije se do të nisë kontrollin në terren për të parë nga afër gjendjen faktike të depozitave të naftës të kërkuar në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave 808 të vitit 2004.

Kontrolli ka të bëjë me rafineritë, të cilat janë të detyruara që të mbajnë rezerva sigurie për 90 ditë të barabarta shitjeje.

Kujtojmë që çmimi i naftës arriti vlerë prej 260 lekë për litër.

Kjo rritje e beftë solli reagimin e menjëhershëm të shoqërisë civile, që prej dy ditë ditësh kanë dalë në protestë përpara Kryeministrisë – shpesh duke bllokuar dhe kryqëzime kyçe në Tiranë – dhe jo vetëm por edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët kërkuan uljen e çmimit të naftës dhe heqjen e taksës së saj.

Protestuesit kanë paralajmëruar sërish protesta më të mëdha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore