Sport

Stadiumi me kullë, rivali i ‘Air Albania’ vjen nga Austria


Bëri shumë bujë në Shqipëri ndertimi i kullës në stadiumin kombëtar “Air Albania” kohë më parë. Pavarësisht se një vendim i tillë erdhi për të mbuluar kostot e ndërtimit të stadumit.

Por, duket se tashmë “Air Albania” do të ketë një rival serioz përsa i përketë “stadiumit me kullë”.

Në Austri, klubi i SV Austria Salzburg-ut prezantoi gjatë kësaj të marte projektin e stadiumit të ri. Stadium i cili do të ketë në përbërje, jo një, por katër kulla. Nga një në çdo cep të tij.

Austria Salzburg-u është një emër i njohur dhe i vjetër në futbollin austriak, ndonëse është krijuar në vitin 2005. Klubi u themelua nga disa tifozë në vitin kur Red Bulli mori skuadrën e tyre dhe i ndryshoi gjithçka.

Klubi i vjetër, që sot quhet Red Bull Salzburg, u themelua në vitin 1933, ndërsa në vitin 2005, kur kaloi te pronarët e rinj u nënshtrua procesit të ndryshimit të emrit, logos dhe ngjyrave.

Klubi i ri i Austria-s e nisi nga niveli i shtatë në hierarkinë e ligave të futbollit në Austri. Në vitin 2015 shkoi deri në Erste Liga (liga e dytë për nga rëndësia). Dhe aktualisht luan në ligën e tretë.

Tashmë klubi ka vendosur të investojë në ndërtimin e një stadiumi të ri dhe modern. Stadiumi do të ketë deri në 5 mijë vende për tifozët dhe katër komplekse banimi (kulla). Këto të fundit do të ndërtohen në mënyrë që të mbulojnë kostot e projektit.

Sipas projektit, stadiumi i ri do të përmbajë 428 apartamente me dy, tre ose katër dhoma. Do të ketë parkim nëntokësorë me rreth 1 mijë e 200 vende. Dy kullat më të mëdha do të jenë 12 kate dhe me lartësi 48 metra.

Apartamentet nuk do të jenë luksoze. Gjysma e tyre do të shitet dhe gjysma tjetër do të jepet me qira si banesa sociale.

Kosotoja totale e projektit shkon në 193 milionë euro. Nga këto, 30 milionë euro do të shkojnë për stadiumin, 28 milionë euro për parkimin nëntokësorë dhe 135 milionë euro për ndërtimin e kullave të banimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore