Sport

Spektakli rrjedh në vena: Pettis trondit Horiguchi-n me rikthimin e vitit


Sergio Pettis, luftëtari i arteve marciale që garon në peshat e lehta (51-54 kilogramë) përmbushi rikthimin e vitit me një knock-out ndaj Kyoji Horiguchi-t.

Sergio, vëllai i vogël i luftëtarit që garon në UFC, Anthony Pettis, po humbte në eventin kryesor të Bellator-it numër 272 kundër Horiguchi-it.

Ai po humbte tre me zero me raunde dhe disfata ishte pothuaj e sigurt.

Në raundin e katërt erdhi magjia – që e bën këtë sport tërësisht të paparashikueshëm.

Pettis pasi nuk përmbylli një high leg kick (shkelm drejt fytyrës), rrotullohet në vete duke i dhënë një spinning fist kundërshtarit (parakrah që nuk zgjatet për të goditur me bërryl por me kurrizin e grushtit).

Pettis me një rekord dyluftimi (22 fitore dhe 5 humbje) fitoi duke mposhtur një kundërshtar kalibri. Horiguchi ishte kampion i platformës aziatike RIZIN në peshën e lehtë me një rekord mbresëlënës (29 fitore dhe vetëm 3 humbje).

Ndeshja u zhvillua në Mohegan Sun Arena të Uncasville në Connecticut të Shteteve të Bashkuara.

Në përmbyllje të ndeshjes, Pettis deklaroi se e dinte që po e humbiste ndeshjen.

“Më duhet të bëja diçka spektakolare”, nënvizoi ai.

Me këtë fitore, Pettis plotëson një ecuri perfekte në skuderinë e arteve marciale të Bellator (4 fitore dhe asnjë humbje).

ADN-ja

Ishte viti 2010, kur Anthony Pettis mori nofkën “Showtime”, për KO-in që është bërë emblemë e këtij sporti kundër një kocke të fortë si Ben Henderson.

Goditja u zhvillua në minutën e fundit të raundit final.

Nuk mbaron me kaq. Në historinë e ndeshjeve të arteve marciale, kjo ishte ndeshja finale e eventit të fundit të WEC (World Extreme Cagefighting) në histori.

Anthony Pettis përdori kafazin e oktagonit për t’u ngritur nga toka dhe për t’i dhënë kundërshtarit një high-kick që në dukje u nis për middle-kick (goditje që synon trupin).

Henderson u trondit në tapet dhe kamerat regjistruan ndoshta një nga KO-tet më spektakolar të këtij sporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore