Kosova

Shea për Albanian Post: Terroristët duhej arrestuar, të qartësohet kush e negocioi ikjen e Radoiçiçit


Për ish-zëdhënësin e NATO-s në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, kryekrimineli Milan Radojiçiç dhe paramilitarët e tjerë serbë që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar është dashur të arrestohen, e jo të negociohej me ta, siç bën zyrtarët e KFOR-it.

“Ishte detyrë e të gjitha forcave të sigurisë në Kosovë, qofshin ato kosovare apo ndërkombëtare, që t’i çarmatosnin dhe arrestonin këta individë të rrezikshëm dhe t’i nxjerrin para drejtësisë”, tha Shea në një bisedë për Albanian Post.

“Nuk e kam dëgjuar më parë këtë histori dhe duke qenë se ky është një pohim shumë serioz dhe i gjerë, mendoj se do të ishte e rëndësishme të paraqisja prova konkrete dhe të besueshme për të vërtetuar një pretendim të tillë. A ka reaguar KFOR-i dhe cilët janë ‘zyrtarët e KFOR-it’ që citohen këtu?”, ka pyetur ai.

Profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Bruksel thotë se paraushtarakët serbë të përfshirë në incidentin e Banjës hynë në Kosovë ilegalisht dhe me një qëllim të qartë kriminal dhe vrasës, derisa sipas Qeverisë, Serbia u përpoq “ta aneksojë veriun e Kosovës” dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe.

“Synimi i tyre ishte i qartë që të destabilizonin Kosovën dhe të nxisnin tensionet. Pa ndërhyrjen me kohë dhe të guximshme të policisë së Kosovës, numri i të vdekurve mund të ishte shumë më i madh”, ka potencuar ai.

Jamie Shea

Çfarë thuhet në draft-raportin e Asamblesë së NATO-s?

Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në draft-raportin që e prezantoi të shtunën në sesion pranveror të këtij mekanizmi në Sofje, ka përfshirë një raport në të cilin thuhet se zyrtarë të KFOR-it patën negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë.

“Pas një periudhe të shkurtër të de-përshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjë dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën”, thuhet në raport.

Sipas raportit, autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjës dhe kufirit me Serbinë si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme.

Ndryshe, kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Vuçiç – së bashku me një grup paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, pasi që personat që morën përgjegjësinë kanë lidhje të ngushta me regjimin në Serbi.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i e ku theksohet se potencon se ky i fundit mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Kurti kërkoi vazhdimisht ekstradimin e Radojiçiç-it – por krimineli u lejua të largohej nga Banja “pas negociatave”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore