Kosova

Specialët e Kosovës në protestë


NjSI

Njësia Speciale Intervenuese (NjSI), e njohur ndryshe edhe si FIT, pjesëtarët e së cilës zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, të mërkurën do të protestojnë në sheshin kryesore të kryeqytetit për të shpërfaqur pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeverisë e Kosovës.

Ndonëse autoritete përkatëse kosovare deri në orët e vona të së martës kanë tentuar t’i bindin pjesëtarët e kësaj njësie elitare që të mos protestojnë, të njëjtit nuk kanë bërë kompromis.

Kësisoj protesta do të mbahet më 1 nëntor, në Sheshin “Skënderbeu”, me fillim në orën 12:00.

Pakënaqësitë e NjSI-së, përveç kushteve të punës, kanë të bëjnë edhe me pagat, por dhe me ditën e 24 shtatorit, kur u kishte munguar komunikimi korrekt nga niveli politik i Qeverisë.

Për pakënaqësitë e NjSI-së ndaj qeverisë, AP kishte raportuar më 19 tetor, ku thuhej se të njëjtit po e shqyrtonin largimin e përkohshëm nga Policia e Kosovës.

Në raportimin e AP-së, bazuar në informata brenda NjSI-së, njoftohej se anëtarët e kësaj grupe elitare, e referuar shpesh edhe si “krenaria e policisë”, kishin kuptuar se jo gjithçka u ishte përcjellur qartësisht me 24 shtator dhe disa gjëra në zinxhirin politik që ka afektuar punën e tyre në terren kishin çaluar.

Ata, për të treguar seriozitetin e paknaqësisë së tyre, nuk i ishin përgjigjur pozitivisht as ftesës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila organizoi darkën e përvjetshme tradicionale të “Lamës” në stacionin e Njësive Speciale “Enver Zymberi” në Veri.

Mungesa e NjSI u vërejt edhe nga fotot e publikuara nga vetë Osmani në Facebook me rastin e darkës, ku shihej se nuk ishte i pranishëm asnjë pjesëtar i kësaj grupe elitare policore.

Nga presidenca, mungesën e NjSI-së në darkën e Lamës ishin munduar ta prezantojnë si rastësi, por nga burimet e Albanian Post brenda policisë kuptohej se me anëtarët e këtij grupi elitë u negociua deri në momentet e fundit që të ishin të pranishëm, por ata refuzuan.

“Është sinjal publik i pakënaqësisë”, kishin thënë për AP nga grupi.

“Ua kemi bërë të qartë se nëse nuk plotësohen kërkesat i lëshojmë radhët”, kishte vazhduar burimi i AP-së, duke pohuar se janë gënjyer vazhdimisht nga qeveritarët.

Nuk është hera e parë që NjSI bëhet iniciatore e përmirësimit të kushteve të policisë.

Edhe më parë ishte po kjo njësi, atëherë e njohur si FIT, që kishte mundësuar shtesat e rrezikshmërisë për policinë, të cilat u ndalën nga qeveria aktuale sërish.

Kërkesat e policisë sa u përket kushteve tashmë janë bërë të qarta edhe nga sindikata e Policisë së Kosovës.

Ato janë 10.

Sindikata ka dorëzuar edhe një peticion me 5 mijë e 623 nënshkrime në Komisionin parlamentar për të Drejta të Njeriut.

Përveç plotësimit të nevojave bazike, meqë sic është bërë e ditur në polici ka raste të mungesës edhe të veshmbathjeve, policia kërkon “Ligjin e  pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore dhe shpërblim për fund-vit për performancë të mirë”.

Gjithashtu, kërkohen edhe “tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësorë dhe jetësor si dhe Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës”.

Nga ana tjetër, këtë të premte, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, ka bërë propozimin për punën e shtesave, ku ka bërë kategorizimin e policëve të cilët do të marrin shtesën për rrezikshmëri.

Ai ka ndarë këto shtesë për të gjithë policët, por që dallimin se disa do të marrin shtesa më të larta e disa më të ulëta e ka bërë në bazë të pozitave.

“Shtesat për njësitë elitare, njësia speciale intervenuese, njësia për ndërhyrje të shpejt dhe njësia për mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë e pagës bazë, 120 euro shtesë për njësitë speciale operative K9 dhe njësia për eksplozivet”, ka thënë Kurti në fjalën e tij mbledhjen e qeverisë.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtaret e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj, ekipet reaguese dhe patrullat që njëherazi përbejnë edhe numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policët e Kosovës që angazhohen për sigurimin e objekteve  dhe ata në menaxhim të operacioneve do t’u ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka sqaruar se kjo zgjidhje është bërë për shkak të situatës së tensionuar në Veri.

“Kjo zgjidhje merr parasysh situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe do të vazhdoj për aq kohë sa do të jetë e nevojshme”.

Ndërsa ka shtuar se shtesat do të fillojnë së aplikuari nga pagat e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm shtesat për rrezikshmëri do të ndahen në mënyrë retroaktive.

Njësia Speciale Intervenuese (NjSI/FIT) po shqyrton largimin nga radhët e policisë, pakënaqësi me Qeverinë e Kosovës

Policia e Kosovës ka disa njësi speciale, duke filluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, Njësia Speciale Operative dhe të tjera, por njësia kulmore edhe brenda Specialëve është pikërisht NjSI-ja.

Për nga kapaciteti i shkathtësive, por edhe i armatimit, NjSI përbën grupin më të përgatitur dhe më të pajisur, duke poseduar brenda grupit edhe snajper dhe armë të tjera të kalibrit të rëndë.

Njësitet policore speciale dallohen për nga ngjyra e uniformave. Pjesëtarët e NjSI-së, ndryshe nga grupet e tjera, kanë veshje me ngjyra të gjelbra, tipike për uniformat ushtarake. Ata gjithashtu janë grupi i vetëm që në publik paraqitet kryesisht me maska në fytyrë.

Sa u përket orëve shtesë të policisë dhe rrezikshmërisë, ato paguhet në secilën polici në shtetet e rajonit, dhe shembulli konkret është ai i Shqipërisë, e cila e ka zgjidhur këtë çështje me një akt normativ të kaluar në Qeverinë e Shqipërisë ku jo vetëm që paguhen orët shtesë, por me efekt të menjëhershëm dhe retroaktiv janë paguar edhe orët e mbetura shtesë nga e kaluara.

Mashtrimi brutal i Kryenumëratores së Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore