Euro 2020

Spanja kundër Polonisë, ndeshja që pa gjithçka përveç fituesit


Spanja u përballë me Poloninë në Grupin E të Euro 2020, për llogari të ndeshjeve të dyta në grupe. Por, spanjollët nuk shkuan më shumë se një barazim në shifrat 1-1, në një ndeshje ku u pa gjithçka përveç fituesit.

Ndeshja ishte e luftuar edhe pse spanjollët zotëruan lojën në pjesën më të madhe të saj. Ekipet kanë pasur raste, por më shumë raste dhe më të mira për të shënuar i kishte Spanja.

Alvaro Morata shënoi golin e parë të takimit në minutën e 25-të të pjesës së parë, duke kaluar në avantazh Spanjën. Goli i Morata-s ishte gjithashtu edhe golin i parë për Spanjën dhe në aspektin personal për këtë Evropian.

Goli i barazimit erdhi nga sulmuesi i Bayern Munich-ut, Robert Lewandowski, në minutën e 54-të të pjesës së dytë.

Minutat e mbetura prodhuan lojë dhe shumë raste për gol, por asnjë i tillë nuk u shënua.

Madje spanjollët humbën një 11 metërsh, të marrë menjëherë pasi pësuan golin e barazimit. Në minutën e 55-të, Gerard Moreno pengohet në zonën polake dhe gjyqtari, Daniele Orsato, konsultohet me VAR për penallti.

Pas komunikimit me dhomën e VAR, Orsato shkon dhe e shikon vetë rastin duke akorduar penallti për Spanjën. Moreno merrë përsipër gjuajtjen e 11 metërshit, por topi i goditur prej tij shkon në shtyllë.

Deri në fund të ndeshjes Spanja iu afrua edhe disa herë të tjera me Morata-n, Moreno-n dhe Ferran Torres-in, por gardiani i portës polake, Wojciech Szczesny ishte në super formë duke shpëtuar disa herë Poloninë.

Në përfundim të takimit, skuadrat ndanë nga një pikë. Grupi E, kryesohet nga Suedia me katër pikë, e cila ndiqet nga Sllovakia me tre pikë, Spanja me dy pikë dhe Polonia me një pikë.

Ndeshjet e radhës në këtë grup do të jenë: Sllovakia përballë Spanjës dhe Suedia përballë Polonisë, ndeshje të cilat do të luhen më 23 qershor, duke filluar nga ora 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore