Euro 2020

Spanja kalon në gjysmëfinale pas penalltive dramatike përballë Zvicrës


Ndeshja Zvicër – Spanjë, ishte e zjarrtë dhe me plot dramë si pothuajse çdo ndeshje tjetër e Kampionatit Evropian.

Këtë duel magjik e fituan spanjollët në penalti, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat të barabartë 1:1.

Posedimi i topit ishte i dominuar plotësisht nga Spanja, por Zvicra po ashtu rrezikonte portën e Unai Simon gjatë gjithë kohës.

Këto dy skuadra ishin në vazhdime edhe në ndeshjet e 1/8-ave të finales, ku Zvicra triumfoi në penalti përballë Francës dhe Spanja mposhti Kroacinë me rezultat 5:3 gjatë vazhdimeve.

Spanja ishin të parët që shënuan në fillim të ndeshjes, në minutën e tetë, pas një goditje nga distanca të Jordi Albas, e cila u devijua nga Denis Zakaria për golin e parë të Spanjës.

Mungesa e Xhakës ishte e madhe për kombëtaren zvicerane, por ata arritën të mbahen deri momentet e fundit.

Në pjesën e dytë, zviceranët po sulmonin portën spanjolle gjatë gjithë kohës, dhe pas shumë përpjekeve ata gjetën golin e barazimit.

Në minutën e 68-të, Xherdan Shaqiri barazoi rezultatin pas një ngatërrimi mes mbrojtësve spanjollë.

Një ndër momentet më të këqija në ndeshje për Zvicrën, ishte në minutën e 77-të, kur Remo Freuler mori kartonin e kuq, pas një ndërhyrje të ashpër në Gerard Moreno-n.

Në vazhdime, Yan Sommer ishte heroik, dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse Zvicra arritën deri në penallti.

Megjithatë as performanca fantastike e Sommer nuk i mundësoi fitoren Zvicrës.

Ishin tre penallti të humbura në anët e Zvicrës dhe dy te Spanja.

Dy mbrojtësit, Manuel Akanji dhe Fabian Scharr goditën lehtë topin, e cila e bëri të lehtë punën e portierit Unai Simon.

Ruben Vargas, i cili goditi penalltinë e katërt për Zvicrën, gjuajti jashtë për të ja bërë të lehtë fitoren Spanjës.

Te Spanja, Busquets humbi penalltinë e parë duke goditur shtyllën dhe Rodri të tretën, të cilën e mbrojti Yan Sommer.

Mikel Oyarzabal ishte ai i cili i dha fitoren Spanjës pas një goditje precize nga pika e penalltisë, për rezultatin final 3:1 në penalti.

Spanja do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e ndeshjes Belgjikë – Itali.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore