Sport

Simeone feston 500 ndeshje në krye të Atletico Madrid-it


Diego Simeone, ditën e sotme në përballjen me Getafen, për javën e 16 të La Ligës, e fituar 1-0 nga Atletico Madrid-i, ka festuar ndeshjen e tij të 500 në pankinën e Los Colchoneros.

Simeone mbërriti te Atletico në janarin e 2012, për të zvendësuar, Gregorio Manzano-n, e shkarkuar asokohe dhe ka një kontratë aktuale deri në 2022. Kontratë të cilën e rinovoi në 2019, për tu bërë trajneri më i paguar në botën e futbollit, me një pagë prej 36.2 milionë paund.

Ndeshja e parë e Cholo-s ka qenë ajo përballë Malaga-s, e përfunduar me rezultatin 0-0. Për të vazhduar më pas me ecurinë e rezultateve pozitive.

Nën drejtimin e Simeone-s, Atletico ka fituar shtatë trofe, dy UEFA Europa Ligë, dy Superkupa UEFA, një La Liga, një Kupë dhe një Superkupë të Spanjës. Pa harruar edhe dy finale të Ligës së Kampionëve, të humbura përballë rivalëve të Real Madrid-it.

Në aspektin personal, Simeone ka fituar çmimin e trajnerit më të mirë në botë për klube në sezonin 2015/16.

Përgjatë 500 ndeshjeve, Simeone e ka udhëhequr ekipin në 105 takime në kompeticionet UEFA, ku numëron 64 fitore, 21 barazime dhe 20 humbje.

Në Spanjë, duke përfshirë kampionat, kupë dhe superkupë, numëron 395 ndeshje, nga të cilat ka 237 fitore, 97 barazime dhe 61 humbje.

Lojtari më i përdorur i Simeone-s është kapiteni aktual i Atletico Madrid-it, Jorge Koke, në plot 439 ndeshje, përgjatë 10 sezoneve, në gjashtë kompeticione të ndryshme.

Ekipi me të cilin është përballur më shumë Simeone, gjatë drejtimit të Atletico Madrid-it është pikërisht rivali i tij kryesor, Real Madrid-i, në 33 përballje, numëron nëntë fitore, 10 barazime dhe 14 humbje.

Ndërsa me Barcelona-n është ndeshur 29 herë, ku numëron vetëm katër fitore, 10 barazime dhe 15 humbje.

Ekipi që ka mposhtur më shumë Simeone është Getafe, ku në 18 ndeshje, ka fituar 16 herë dhe ka barazuar dy.

Aktualisht Atletico e Simeone-s, mbanë vendin e parë në La Liga dhe është  gjithashtu ëdhë në Ligën e Kampionëve në raundin e 1/16./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore