Lajme

Si me Grenell-in, Kurti fillon ndarjen e Escobarit nga Amerika: Me Amerikën punët shkëlqyeshëm, me emisarin sfida


Albin Kurti, Gabriel Escobar

Në vitin 2020 – viti kur Albin Kurti ishte kryeministër për herë të parë në Kosovë – për herë të parë po ashtu do të dëgjohej formulimi se zyrtarët amerikanë nuk është se prezantojnë me patjetër edhe qëndrimin e Amerikës.

“Për mua, emisari (Richard) Grenell është i Amerikës, por Amerika nuk është emisari Grenell”, ka pas thënë Kurti.

Përkundër se i emëruar drejtor i 17 agjencive të inteligjencës amerikane në atë kohë, ambasador në Gjermani dhe i dërguar i presidentit amerikan për Ballkanin, Kurti thoshte se qëndrimi i Grenell-it nuk është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për mua kjo nuk do të thotë asgjë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për një emisar të SHBA-ve”, pati thënë në një rast tjetër.

Si një replikë identike e asaj kohe, ka ardhur deklarimi i fundit i kryeministrit të Kosovës për emisarin e tanishëm amerikan, Gabriel Escobar.

Escobar është aktualisht Zëvendës-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, diplomat që prej dekadash dhe i emëruar nga SHBA-të si emisar i posaçëm për Ballkanin dhe madje nga Partia Demokratike e presidentit Joe Biden, të cilin Kurti, e kishte përkrahur me video në zgjedhjet e fundit, por ai prapë po thotë se emisari Escobar nuk përbën qëndrimin e Amerikës.

“Kemi sfida me emisarët edhe evropianë edhe amerikanë, por marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shkëlqyeshme”, tha Kurti, duke bërë kështu dallimin mes diplomatit dhe shtetit që përfaqëson diplomati.

Ai tha se kur bëhet fjalë për Serbinë, emisarët nuk prezantojnë SHBA-të, por vetëm kërkesat për Kosovën në raport me Serbinë.

“Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë më këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, është në pyetje raporti jonë me Serbinë, kjo natyrisht që nuk është e njëjta gjë”.

Madje, kërkesat e Escobar as nuk janë kërkesa të Amerikës, tha Kurti.

“Duhet ta dalloni kërkesën që na bëjnë shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shembull për t’i pranuar refugjatët nga Afganistani i kemi pranuar. Mirëpo, kur emisari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë me raportin tonë me Serbinë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm, të kujdesshëm, por normalisht gjithnjë të jemi bashkëbisedues konstruktivë e të përkushtuar”.

Në vitin 2020 Kurti kishte akuzuar Grenell-in edhe si personi që ndihmojë në rrëzimin e Qeverisë së tij të parë.

“Qeveria ime nuk u përmbys për asgjë tjetër, por thjesht sepse Ambasadori Grenell ishte me nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë,” kishte thënë Kurti në një konferencë për shtyp të mbajtur përmes videos nga Prishtina.

Pikëpamjet e tij për Grenell-in ai i kishte shpalosur edhe në një intervistë për The Guardian, mediumi i njëjtë britanik ku e quajti Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si person ka dhënë deklarata “naive” në raport me situatën në Veri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore