Shëndet

Shtatzënia, ushqyerja me gji dhe vaksina anti-COVID


Rreziku që foshnjat e porsalindura të kenë marrë coronavirus-in nga nëna gjatë shtatzënisë është përgjithësisht i ulët.

Sidoqoftë, gratë shtatzëna kanë më shumë gjasa të preken rëndë nga virusi COVID-19, nëse:

Gjenden në gjendje kushtëzuese shëndetësore, si për shembull, diabet, presion i lartë i gjakut apo astmë.

Kur janë mbipeshë dhe janë mbi moshën 35 vjeç.

Mjekja obstetër-gjinekologe, Arbesa Qinami, i është përkushtuar informimit të ndjekësve të saj përmes azhurnimeve të fundit për sa i përket vaksinimit te gratë shtatzëna dhe në periudhën e gjidhënies.

Bazuar në studimin e “The American College of Obstetricians and Gynecologists” (ACOG), ajo shpjegon për Albanian Post se lidhja e vaksinës COVID-19 dhe infertilitetit nuk ekziston dhe s’ka asnjë të dhënë shkencore mbi të cilën mund të bazohet kjo teori.

Sipas studimit, duke pasur parasysh mekanizmin e veprimit dhe profilin e sigurisë së vaksinave m-RNA në gratë jo-shtatzënë, vaksinat COVID mRNA nuk shkaktojnë infertilitet.

Vaksinat me vektor adenovirus, siç është vaksina Janssen (Johnson&Johnson), nuk mund të replikojnë (shumojnë) virusin pas injektimit dhe të dhënat tregojnë se pastrohet/largohet nga indet pas injektimit.

Duke qenë se nuk shumohet në qeliza, vaksina nuk mund të shkaktojë infeksion apo të alternohet në ADN e marrësit dhe nuk mund të jetë shkak i infertilitetit. (Evans, 2021, Morris 2021).

Pra, ACOG rekomandon vaksinimin e të gjithë personave që, në të ardhmen, planifikojnë një shtatzëni.

Gjinekologia këshillon se, nëse gratë ngelin shtatzënë pas dozës së parë të vaksinës COVID-19 me dy doza (Pfizer-BioNTech apo Moderna), doza e dytë duhet të jepet sipas planifikimit.

Ndër të tjera, një test negativ shtatzënie nuk është i nevojshëm para marrjes së cilësdo vaksine të aprovuar nga EUA.

Vaksinimi anti-COVID-19 te një grua shtatzënë

“Vaksinimi është fortësisht i rekomanduar te gratë jo-shtatzëna”, thotë gjinekologia.

Në këtë kuadër, ACOG rekomandon vaksinimin te çiftet që po planifikojnë, apo po provojnë për një shtatzëni në mënyrë aktive.

Për më tepër, nuk është e nevojshme të shtyhet planifikimi i shtatzënisë deri në kryerjen e të dy dozave të vaksinimit.

Mjekja Qinami konfirmon se studimi tregon që vaksinimi i grave shtatzëna me vaksinën mRNA BNT duket i sigurt dhe efektiv, kështu që rekomandimi i vaksinës tek to duhet të merret në konsideratë.

“Kjo, në perspektivën e uljes së vdekshmërisë së lidhur me COVID-19 te gratë shtatzëna”, vijon ajo.

Kjo vaksinë është efektive në rritjen imunitetit humoral te gratë shtatzëna, por niveli i IgG është më i ulët se te gratë jo-shtatzëna.

Ndërsa për sa u përket rezultateve obsetrikale, procesit të lindjes dhe të dhënave neonatale, ajo sqaron se “nuk vihen re lindje të parakohshme në grupin e të vaksinuarve”.

Po ashtu, as “nuk janë shënuar raste hipotrofie (bebe me peshë trupore te ulët) dhe nuk ka pasur raste të vdekshmërisë neonatale”.
Sipas raportit, dy foshnja patën nevojë për ndihmë respiratore pas lindjes.

Doktoresha sqaron se këto të dhëna janë në bazë të studimit të fundit mbi ndikimin e vaksinimit me mRNA Pfizer/BioNTech te gratë shtatzëna

Një nënë duke i dhënë gji foshnjës së saj

Për sa i përket periudhës së gjidhënies, gjinekologia rekomandon marrjen e vaksinës

“Vaksina nuk transmetohet përmes qumështit të gjirit. Janë antitrupat e prodhuar nga nëna, pas vaksinimit, që transmetohen. Kjo rrit nivelin e mbrojtjes së fëmijëve nëse do të kenë kontakt me virusin. (sipas Public Health England JVCI)”, thotë Dr. Qinami.

Kjo është në të njëjtën linjë me rekomandimet e “USA” dhe “WHO”.

Megjithatë, ajo shpjegon se niveli i mbrojtjes që fëmijët mund të kenë thjesht si pasojë e kalimit të antitrupave, mbetet për t’u studiuar.

Për Albanian Post, Arisa Sinanaj, një nënë e re, e cila në profesion është doktoreshë estetike, konfirmoi se është vaksinuar gjatë periudhës së gjidhënies, pasi u informua rreth situatës.

“Po, kur bebi ishte 6-muajsh, menjëherë pas vaksinimit i kam dhënë për të pirë. Madje, pas 15 minuta nga vaksinimi”, tha ajo.

Ndryshe nga rasti i Anila Kolës, nënë e një djali dymuajsh, menaxhere e biznesit të saj, shprehet mjaft skeptike ndaj vaksinimit.

Për AP-në thotë se ajo frikësohej, se mos ndikonte te djali i saj gjatë ushqyerjes me gji.

“Nuk kam shumë siguri në efektet pozitive apo negative të vaksinës, sidomos në fazën ku ndodhem. Nuk doja të rrezikoja mirëqenien e tim biri”, përmbyll ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore