Shqipëria

Shqiptarët ndër përfituesit kryesorë të shtetësisë në vendet e BE-së


Qytetarët e Shqipërisë, Marokut dhe Sirisë kanë vijuar të mbeten përfituesit kryesorë të shtetësisë së vendeve të Bashkimit Evropian në vitin 2021.

Kështu tregojnë të dhënat e ofruara nga Zyra Evropiane për Statistikat, Eurostat.

“Në vitin 2021, ngjashëm me vitin 2020, marokenët ishin grupi më i madh në mesin e qytetarëve të rinj të BE, përpara sirianëve, si dhe shqiptarë (32 mijë e 300, 70 për qind kanë marrë nënshtetësinë e Italisë)”, thuhet në deklaratë.

Edhe rumunët, turqit, brazilianët, algjerianët, ukrainasit, rusët dhe pakistanezët ishin të përfshirë në listën e parë të dhjetë përfituesve të shtetësisë së BE-së.

Referuar të dhënave, një total prej 827 mijë personash morën nënshtetësinë në vendet e BE-së në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej afro 14 për qind në krahasim me shifrat e vitit 2020.

Po ashtu konfirmohet se rritja më e madhe e blerjeve u vu re në pesë Shtetet Anëtare të BE-së gjatë të njëjtit vit.

Bëhet fjalë për Francën (43 mijë e 900 shtetësi më shumë), Gjermaninë (18 mijë e 800 të tjera), Spanjën (17 mijë e 700 më shumë), Suedinë (9 mijë e 200 më shumë) dhe Austrinë (7 mijë e 200 më shumë).

Kurse rënia më e thellë u vu re në Itali (10 mijë e 300 më pak shtetësi), Portugali (7 mijë e 600), Greqi (3 mijë e 200), Finlandë (1 mijë e 200) dhe Qipro (800).

Në total, dhjetë vende të BE-së pësuan rënie të numrit të shtetësive të dhëna.

“Ashtu si në vitin 2020, shumica (85 për qind) e atyre që morën nënshtetësinë e një shteti anëtar të BE-së në vitin 2021 ishin më parë shtetas të një vendi jo anëtar të BE-së ose pa shtetësi”, thuhet në deklaratën e Eurostat.

Dhe se “qytetarët e një vendi tjetër të BE-së përbënin 13 për qind të numrit të përgjithshëm të shtetësive të fituara”.

Gjithashtu është zbuluar se më 1 janar 2022, qytetarët e BE-së përfaqësonin 94.6 për qind të popullsisë së BE-së.

Ndërkohë, autoritetet në Spanjë dhanë numrin më të madh të shtetësive të reja në vitin 2021 (17 për qind e totalit të BE-së), ndjekur nga Franca (16 për qind), Italia (15 për qind), Suedia (11 për qind), duke zënë 75 për qind të shtetësive që janë dhënë në vendet e BE-së në vitin 2021.

Sipas Eurostat-it, shkalla më e lartë e natyralizimit në vendet e BE-së u vu re në Suedi, me gjithsej 10.0 shtetësi të dhëna për 100 jo-shtetas rezidentë, ndjekur nga Holanda (5.4), Rumania (4.6), Portugalia (3.7) si dhe Belgjika dhe Spanja (të dyja 2.7).

Marrë nga “SchengenVisaInfo.com”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore