Shqipëria

Shqipëria me zonjë të parë pas 5 vjetësh


Prej pesë vjetësh, për shkak të angazhimit politik të Monika Kryemadhit, Shqipëria nuk e ka pasur faktikisht një zonjë të parë, pasi është e palejueshme që ajo të jetë njëkohësisht politikisht aktive (aq më tepër kryetare partie), në një mandat presidencial.

Mirëpo, me përfundimin e mandatit të Ilir Metës më 24 korrik 2022 dhe me ardhjen në detyrë të Bajram Begajt, vendit do t’i rikthehet edhe roli i zonjës së parë.

Ajo quhet Armanda Begaj, e lindur në vitin 1968 dhe aktualisht, punonjëse në Kontrollin e Lartë të Shtetit në rolin e specialistes së IT-së.

Armanda Begaj nuk është një figurë shumë e njohur për publikun. Daljet e saj përkrah bashkëshortit, kanë qenë të rralla, vetëm në raste dekorimesh të presidentit të zgjedhur të vendit.

Prej 24 korrikut, familja presidenciale, e kryesuar nga Bajram Begaj, zonja e parë Armanda Begaj dhe dy djemtë e tyre, do të marrë zyrtarisht rolin dhe misionin e lartë për vendin.

Begaj u zgjodh në detyrën e kreut të shtetit me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, në seancën e 4 qershorit, e cila u bojkotua nga Partia Demokratike.

Kush është Bajram Begaj

Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Ndërkaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.

Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore