Lajme

Shqipëri: Prokuroria nis verifikimet për kabinetin e ri qeverisës


Prokuroria e Përgjithshme e Tiranës, të hënën e 13 shtatorit ka nisur hetimet dhe verifikimet në lidhje me kabinetin e ri qeveritar të “Rama 3”.

E gjitha kjo ka nisur pasi një ditë më parë, Presidentit i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka kërkuar nga organet kompetente të zbatimit të ligjit informacione në lidhje me kandidatët që ka propozuar kreu i Qeverisë Edi Rama.

Presidenti kërkon prej Prokurorisë nëse ka të dhëna apo jo që i lidhin kandidatët me procese hetimore apo penale që janë nisur ndaj tyre.

Ndërkaq të shtunën Meta ka dekretuar si Kryeministër të Shqipërisë, për të tretin mandat radhazi, Edi Ramën.

Sipas nenit 98 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës do të duhet të shprehet mbi këto emra brenda shtatë ditëve nga administrimi i propozimit prej kryeministrit.

Kabineti i ri qeveritar

Kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shpallur zyrtarisht Qeverinë e re të Republikës së Shqipërisë, të enjten 2 shtatorit.

Kabineti i tij qeveritar do të përbëhet nga 12 gra dhe katër burra.

Nën drejtimin e Ramës, zëvendës i tij do të jetë Arben Ahmetaj. Ky i fundit do të ketë jo vetëm postin e zëvendëskryeministrit, por edhe vijimin në rolin e tij në fazën e rindërtimit.

Ministritë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen qëndrojnë pa lëvizur. Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi konfirmohen në detyrë.

Belinda Balluku mban postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Ogerta Manastirliu konfirmohet në detyrën e saj në krye të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ekonomia dhe Financat i kalojnë Delina Ibrahimajt. Arsimi mbetet te Evis Kushi, ndërsa Turizmi dhe Mjedisi i kalon Mirela Kumbaros.

Kultura nuk pëson ndryshime, me Elva Margaritin. Bujqësia dhe Zhvillimi Rural i kalon Frida Krifcës.

Katër do të jenë Ministritë e Shtetit në këtë mandat të ri qeverisës.

Ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, qëndron Elisa Spiropali, e konfirmuar edhe më parë në detyrë nga vetë Rama.

Edona Bilali do të jetë ministre Shteti për Marrëdhëniet me Sipërmarrjen. Milva Ekonomi do të jetë Ministre Shteti për Standardet dhe Shërbimet. Bora Muzhaqi, ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Mandati i tretë i Edi Ramës do ta gjejë atë po ashtu me një kryeparlamentare grua, ndryshe nga dy mandatet e parë. Ajo do të jetë Lindita Nikolla.

Ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë nisi punën zyrtarisht më 10 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore