Shqipëria

Hapen punimet e Kuvendit, deputetët betohen në 17:00


Mëngjesin e 10 shtatorit, zyrtarisht nisi punën Legjislatura e Re e Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas rregullores, drejtuese e seancës së parë plenare ishte deputetja më e vjetër në moshë, Luljeta Bozo, nga radhët e Partisë Socialiste (PS).

Pas fjalimit dhe prezantimit të 140 deputetëve që përbëjnë Kuvendin e ri, ajo mbylli seancën e parë plenare të paradites.

Kuvendi zgjodhi edhe komisionin e Verifikimit të Mandateve të deputetëve. Ky komision është i përbërë nga pesë deputetë nga maxhoranca dhe katër nga opozita.

Partia Socialiste do të përfaqësohet nga Klotilda Bushka (kryetare), Ermonela Felaj, Aurora Maraj, Nasip Naço dhe Toni Gogu.

Ndërsa Partia Demokratike nga Saimir Koreshi, Dhurata Çupi, Blerta Bardeli dhe Belind Këlliçi.

Më tej, ajo njoftoi se në orën 17:00, do të vijohet me seancën e dytë parlamentare, gjatë të cilët do të bëhet edhe betimi i deputetëve dhe miratimi i kabinetit qeverisës.

Në fjalimin e saj të parë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Bozo tha se, “si grua ndihet më e emocionuar, pasi kurrë më parë kjo sallë nuk ka pasur kaq shumë gra dhe vajza”.

Ajo theksoi faktin se, “kjo legjislaturë do mbahet mend gjatë për promovimin e gruas”.

Nga ana tjetër, ajo solli në vëmendje edhe reformat e ndërmarra nga Kuvendi i kaluar, duke shtuar se legjislatura e re ka për detyrim t’i shpjerë përpara ato.

Ndërkohë, ajo përshëndeti edhe partnerët e huaj. “Mbështetës potencialë janë dhe mbeten SHBA-të, BE-ja dhe vendet e rajonit”.

“Sot, Shqipëria nuk është një vend i mbyllur, por një vend që tregon paqe dhe dinjitet”, ravijëzoi më tej Bozo.

Ajo shtoi se, “ne vijojmë të jetojmë përballë dy sfidave. Njëra rimëkëmbja nga goditja e tërmetit dhe pandemia e COVID-19”.

Në përfundim, Bozo tha se demokratë e socialistë duhet të punojnë së bashku. “Populli na zgjodhi me votën e tij, të punojmë pa parë ngjyra partiake.

(Prapa) Skenat e seancës së parë të Kuvendit të Shqipërisë

Për herë të parë, pas dy vitesh mungesë, rikthehet opozita në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita, gjatë kësaj periudhe, ishte jashtë institucioneve, duke ndërmarrë akte të ndryshme, si protesta  dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

Një vendim politik i Lulzim Bashës erdhi vetëm 14 orë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit. Ai e përjashtoi ish-kreun e selisë blu, ish-kryeministrin dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Kjo, pas shpalljes së këtij të fundit si non grata nga SHBA-të më 19 maj dhe kërkesës publike të ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, më 30 korrik, për ta lënë Berishën jashtë Parlamentit.

Ky i fundit, mbërriti në dyert e Kuvendit të Shqipërisë si deputet i Qarkut të Tiranës, pavarësisht përjashtimit nga Grupi Parlamentar demokrat.

Pas replikave me Bashën të një dite më parë, ai e vijoi edhe më ashpër sulmin ndaj kryedemokratit.

Lideri historik i PD-së, para gazetarëve tha se, “sot nis beteja ndaj pazareve të fëlliqura Basha-Rama”.

Për Berishën, PD duhet të rikthejë sovranitetin e saj. Përjashtimin nga Grupi Parlamentar, ai e ka cilësuar si anti-statutor. Pikërisht për këtë fakt, synimi i liderit historik të kësaj partie gjatë këtij mandati do të jetë rikthimi i PD-së në piedestal.

Berisha në sallën e parlamentit u ul në krah të Fatmir Mediut, Vangjel Dules dhe Dashamir Shehit.

Nga ana tjetër, mbi deklaratën e Berishës, nga lideri i PD-së Basha nuk ka pasur asnjë reagim.

Për Bashën, Edi Rama është i vetmi armik i shqiptarëve.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, doli nga salla e Parlamentit me një qëndrim të vetëm nga fillimi i punimeve të Kuvendit të Shqipërisë: “E shkuara është e shkuar. Ne, jemi e ardhmja”.

Rama nuk e komentoi aspak përjashtimin e ish-kryedemokratit, Sali Berisha, nga kreu aktual i bluve, Lulzim Basha, nga Grupi Parlamentar demokrat.

Në të kundërt, ai tha se ka gjëra shumë më të rëndësishme se sa kjo, të cilat duhet të trajtohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore