Shqipëria

Rama: E shkuara është e shkuar, ne jemi e ardhmja


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë nga salla e Parlamentit me një qëndrim të vetëm nga fillimi i punimeve të Kuvendit të Shqipërisë: “E shkuara është e shkuar. Ne, jemi e ardhmja”.

Rama nuk ka dhënë asnjë koment mbi përjashtimin nga Grupi Parlamentar demokrat të ish-kryedemokratit Sali Berisha, nga kreu aktual i bluve, Lulzim Basha.

Në të kundërt, ai ka thënë se ka gjëra shumë më të rëndësishme se sa kjo, të cilat duhet të trajtohen.

“Shqipëria, duhet të çohet në një nivel tjetër”. Është kjo gjëja më e rëndësishme për Ramën.

Ndërsa, mbi akuzat që ka hedhur Berisha se ai dhe Basha kanë “një pazar të fshehtë”, Rama iu përgjigj se një bashkëpunim i dy partive të mëdha në vend i detyrohet popullit.

“Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit”, ravijëzoi ftesën ndaj opozitës Rama.

Ndër të tjera, kryeministri shtoi se sfidat, problemet, hallet dhe shpresat e njerëzve te Partia Socialiste janë shumë të mëdha.

Ajo që pritet tashmë është votëbesimi i Qeverisë së re dhe mandatimi i saj.

Beteja e Berishës për pazaret Rama-Basha

Ish-kryeministri, ish-presidenti dhe ish-kreu i Partisë Demokratike, tashmë i përjashtuar nga Grupi Parlamentar demokrat, ka mbërritur në Parlamentin e Shqipërisë, ku deklarata e parë ka qenë menjëherë një goditje ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreu demokrat Lulzim Basha.

“Sot, nis beteja ndaj pazareve të fëlliqura Basha-Rama”.

Është kjo deklarata e parë politike e Berishës në sesionin e ri parlamentar.

Për Berishën, PD duhet të rikthejë sovranitetin e saj. Pikërisht ky do të jetë synimi i liderit historik të kësaj partie gjatë këtij mandati.

Vetëm 16 orë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit, Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Kjo, pas shpalljes së tij si non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj dhe kërkesës së hapur nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, më 30 korrik, për përjashtimin e Berishës nga PD.

Ndërsa i menjëhershëm, që ditën e djeshme, ishte edhe reagimi i ish-kryedemokratit.

Ai theksoi se “PD-ja kishte humbur sovranitetin”. Ndërsa, Bashën e quajti si të shantazhuar me sanksione nga amerikanët dhe kryeministri Rama.

I vetmi armik, Edi Rama

Pas dy vjetësh larg foltores së Parlamentit, demokratët kthehen si pjesë integrale e Kuvendit.

Por, deklarata e parë e kreut të bluve, Lulzim Basha, erdhi jashtë mjediseve të Parlamentit.

Pyetur nga gazetarët, nëse ka pasur presion për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, siç deklaron ky i fundit, nuk dha asnjë përgjigje.

Ndërsa komente të mëtejshme mbi vendimin e tij për Berishën, ai i evitoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore