Shqipëria

Berisha mbërrin në Parlament: Sot nis beteja ndaj pazareve Basha-Rama


Ish-kryeminstri, ish-presidenti dhe ish-kreu i Partisë Demokratike, tashmë i përjashtuar nga Grupi Parlamentar demokrat, ka mbërritur në Parlamentin e Shqipërisë, ku deklarata e parë ka qenë menjëherë një goditje ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha.

“Sot, nis beteja ndaj pazareve të fëlliqura Basha-Rama”.

Është kjo deklarata e parë politike e Berishës në sesionin e ri parlamentar.

Për Berishën, PD duhet të rikthejë sovranitetin e saj. Pikërisht ky do të jetë synimi i liderit historik të kësaj partie gjatë këtij mandati.

Vetëm 16 orë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit, Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Kjo, pas shpalljes së tij si non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj dhe kërkesës së hapur nga Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, më 30 korrik, për përjashtimin e Berishës nga PD.

Ndërsa i menjëhershëm, që ditën e djeshme, ishte edhe reagimi i ish-kryedemokratit.

Ai theksoi se “PD-ja kishte humbur sovranitetin”.

Ndërsa, Bashën e quajti si të shantazhuar me sanksione nga amerikanët dhe kryeministrit Rama.

Basha ka mbledhur përpara seancës së sotme plenare edhe grupin demokrat, ku Berisha sigurisht mungonte. Detaje mbi mbledhjen nuk janë bërë me dije.

Ndërsa në Parlament kanë mbërritur të 140 deputetët e Parlamentit të ri të Shqipërisë.

“PD-ja është parti e lirive dhe të drejtave njerëzore e interesit kombëtar”, theksoi Berisha. “Demokratët shqiptarë, me dinjitet dhe vendosmëri, do të dinë ta vendosin PD-në në piedestal”.

Ai vijoi duke theksuar se do të marrë çdo nismë ligjore, statutore, për rikthimin e saj aty ku i takon.

Veten, ndërkaq, e ka quajtur pjesë të Grupit Parlamentar të PD-së, pavarësisht përjashtimit. Ndërsa mbi Ramën dhe Bashën, ai ritheksoi se kompromisi i tyre është nul.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore