Shqipëria

Qeveria e re/Meta i kërkon informacion Prokurorisë


Me një shkresë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka kërkuar informacion nga institucioni për të gjithë kandidatët e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenti kërkon prej Prokurorisë nëse ka të dhëna apo jo që i lidhin kandidatët me procese hetimore apo penale që janë nisur ndaj tyre.

Dymbëdhjetë gra dhe katër burra. Ky do të jetë kabineti i ri qeveritar Rama 3.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpallur zyrtarisht Qeverinë e re të Republikës së Shqipërisë.

Nën drejtimin e Ramës, zëvendës i tij do të jetë Arben Ahmetaj. Ky i fundit do të ketë jo vetëm postin e zëvendëskryeministrit, por edhe vijimin në rolin e tij në fazën e rindërtimit.

Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen qëndrojnë pa lëvizur. Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi konfirmohen në detyrë.

Belinda Balluku mban postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Ogerta Manastirliu konfirmohet në detyrën e saj në krye të Shëndetësisë.

Ekonomia dhe Financat i kalojnë Delina Ibrahimajt. Arsimi mbetet te Evis Kushi, ndërsa Turizmi dhe Mjedisi i kalon Mirela Kumbaros.

Kultura nuk pëson ndryshime, me Elva Margaritin. Bujqësia ndërkohë i kalon Frida Krifcës.

Katër do të jenë Ministritë e Shtetit në këtë mandat të ri qeverisës.

Ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, qëndron Elisa Spiropali, e konfirmuar edhe më parë në detyrë nga vetë Rama.

Edona Bilali do të jetë ministre Shteti për Marrëdhëniet me Sipërmarrjen. Milva Ekonomi do të jetë Ministre Shteti për Standardet dhe Shërbimet. Bora Muzhaqi plotëson katërshen, si ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Mandati i tretë i Edi Ramës do ta gjejë atë po ashtu me një kryeparlamentare grua, ndryshe nga dy mandatet e parë. Ajo do të jetë Lindita Nikolla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore