Lajme

Shpërthim në Veri, dëmtohet xhami i një banese dhe një veture


Mitrovica e Veriut.

Të hënën e 30 janarit, një shpërthim ka ndodhur në Veri të Mitrovicës.

Shpërthimi është bërë i ditur përmes raportit të Policisë së Kosovës në të cilin thuhet se është dëmtuar xhami i një banese dhe xhami i një veture.

“Mitrovicë Veri 30.01.2023 – 03:00. Dy ankues meshkuj kosovarë kanë raportuar se nga një shpërthim është dëmtuar një xham i një banese dhe një xham i një veture”, thuhet në raportin policor.

Ky rast është iniciuar si “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” dhe është duke u hetuar.

Gjatë muajit tetor dhe nëntor, ishin djegur disa vetura pasi ishin regjistruar në targa RKS të Republikës së Kosovës nga ato ilegale serbe në Veri.

Më 8 dhjetor, në orën 23:oo, vetëm 60 minuta para mesnate, derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit, u sulmuan nga një grup personash të armatosur dhe me maska.

Policia e Kosovës në Veri.

Nga sulmi mbeti i plagosur Ekrem Neziri nga Njësia për Reagim të Shpejtë.

Ndonëse sulmuesit e patrullës policore nuk diheshin ende, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, pati lajmëruar se tashmë organet e rendit kishin një të arrestuar në rastin e sulmit në Zyrat e Kuvendit Komunal Zgjedhore dhe sulmit ndaj zyrtarëve të KQZ-së në Veri.

Dejan Pantiç, sipas Sveçlës, një ish-pjesëtarë i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ishte organizatori i sulmeve terroriste. Arrestimi i tij nuk u kapërdi lehtë nga serbët.

Pantiç ishte shndërruar në një “mollë sherri”.

Bashkëkombësit e tij veçse të revoltuar, kishin filluar barrikadimin.

E dyta me radhë gjatë këtij viti, e treta gjatë dy viteve të fundit.

Bllokimi i rrugëve ishte shndërruar në pamje të zakonshme në katër komunat veriore.

Ndërkaq që serbët besonin në pafajësinë e policit serb, Pantiç, çekani i drejtësisë veçse kishte rënë mbi të – atij i ishte caktuar vendimi për një muaj paraburgim.

U deshën 20 ditë, retorikë konfrontues, shtrëngim muskujsh e negociata që serbët të pajtohen t’i largojnë barrikadat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore