Lajme

Veriu i nxehtë i Kosovës – zhvillimi që bllokoi zhvillimet në vitin 2022


Ilustrim

Me barrikada të serbëve – që tashmë i njeh historia si “Revolucioni i Trungjeve” – ka nisur një luftë në Kroaci dhe dy vjet më vonë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Njësoj u veprua nga serbët në veri të Kosovës 30 vjet më vonë, porse tash Perëndimi i cilësoi si “barrikada paqësore”.

 Viti i barrikadave në Veri

Gjithçka filloi me 29 qershor kur Qeveria e Kosovës zotohej të zbatonte reciprocitetin për letërnjoftimet me Serbinë dhe ndalimin e qarkullimit për serbët me targave ilegale.

Në ditën kur filloi implementimi i këtyre dy vendimeve, më 31 korrik, ngjau ajo që paralajmërohej prej kohësh.

Me automjete të rënda, ekskavatorë, automjete private, serbët bllokuan rrugët që të shpien drejtë dy pikë-kalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Në nëntë lokacione të ndryshme rrugët u barrikaduan nga strukturat paralele serbe duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Sidoqoftë, ato u larguan në më pak se 20 orë pas kërkesës eksplicite të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe dy zëvendëskryeministrat, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.

Kosova pranoi ta shtyjë afatin për zëvendësimin e targave dhe mos-lëshimin e fletës së lëshuar së bardhë për shtetasit serbë së paku për një muaj.

Ky dokument më nuk lëshohet nga asnjëra palë, derisa targat ilegale vazhdojnë të qarkullojnë nëpër Kosovë, por me ngjitës.

Më tej, atmosfera e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë filloi të vijëzohej pak e nga pak, duke u orientuar në çdo etapë të saj drejt një vetëmbërritjeje të ndryshme.

Ilustrim

Kosovës prapë do t’i kërkohej shtyrje me shpresën se një zgjidhje do të gjendej me dialog.

Përpjekje u bënë.

Kërkesat ndërkombëtare ishin që të mos humbet fokusi në çështje teknike siç janë targat, por te kalohet në biseda më përmbajtësore për zgjidhje finale.

“Kam parë të nisin luftërat për gjithçka, por për çështje targash kurrë”, do thoshte Christopher Hill, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi.

Kosova, si një zgjidhje të mesme, doli me një vendim për sekuencim të atij paraprak.

Implementimin do ta bënte në faza.

E para ishte qortim me një dokument, e dyta gjoba, e cila pritej të fillonte nga 21 nëntori dhe më pas do fillohej me targa provuese, derisa në prill të vitit të ardhshëm sekuestrim për të gjithë ata që nuk pranojnë të lëvizin nga targat ilegale që prodhohen në Serbi, por kanë inicialët e qyteteve të Kosovës.

Shkallëzimi nuk kënaqi ndërkombëtarët.

Ned Price, zëdhënës i departamentit amerikan të shtetit do dilte me deklaratë duke thënë se “kërkuam shtyrje të plotë, agjë më pak”.

Më vonë do përcillej edhe nga vetë Antony Blinken i cili konfirmoi se kryeministrit Kurti ia kishin kërkuar në disa raste shtyrjen.

Derisa për tri javë vazhdonte masa e qortimit, ajo s’paraqiste problem, por nga Lista Serbe ishin zotuar se me gjobën e parë që do jepej ata do ndërmerrnin veprime radikale.

Kur koha erdhi dhe në Bruksel edhe pas një takimi shumëorësh nuk u prodhua zgjidhje e as pajtim dhe supozohej se Kosova do vazhdonte me gjobat, serbët lokalë vendosën të braktisnin krejtësisht institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, atë politik dhe administrativ dhe kështu do krijohej një vakum institucional në veri.

Më vonë, qeveria do tërhiqej dhe do e shtynte vendimin dhe s’do lëshonte gjoba, por gjendja s’ktheje dot prapa, meqë serbët kishin djegur mandatet.

Lista Serbe – forca politike e serbëve të Kosovës – më 5 nëntor vendosi të tërhiqej nga institucionet qendrore të Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, dorëheqje dhanë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Paralajmërimet e kësaj partie për largim nga institucionet u bënë pasi autoritetet në Kosovë suspenduan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e Qeverisë për targat.

Në Veri të Kosovës tashmë kishte një vakum të sigurisë.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës rezultojë me një pasojë – Serbia fitoi atë që synonte përherë, krijimin e një klime të pasigurisë në Veri, rrjedhimisht në Kosovë.

Një shtysë të fortë kësaj klime dha edhe shpallja zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës nga ana e Presidentes, Vjosa Osmani, e cila u zmbraps më pastaj.

Në kohën kur shumica opinionit publik kosovar argumentonte se në këtë situatë të brishtë të sigurisë dhe në mungesë të rendit dhe ligjit në katër komunat veriore të Kosovës, nuk do të mund të organizohej as një ndeshje futbolli, e lëre më zgjedhjet, Komisioni Qendror Zgjedhor vazhdonte përgatitjet e procesit.

Pozicioni i pushtetit në këtë rast ishte se djegia e mandateve nga serbët e Kosovës kishte krijuar obligime ligjore e Kushtetuese për shtetin prandaj duhej të procedohej.

Ilustrim: Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Pikërisht ky procedim hasi në rezistencë, zbatimi i ligjit për pak sa nuk përfundojë me humbje të jetëve.

Ishin zyrtarët komunalë zgjedhorë të cilët nën shoqërimin e Policisë së Kosovës tentuan të hyjnë në zyrat e tyre për të filluar përgatitjet e zgjedhjeve komunale në këto katër komuna veriore të banuara me shumicë serbe, por pa rezultat.

Zyrtarët e KQZ-së u penguan nga serbët.

Qasja e tyre në zyra u pamundësua, derisa të njëjtit tentonin pranë tyre shkrepeshin armët e shpërthenin shok-bombat.

Tashmë Veriu ishte shndërruar në “El Dorado”.

Ashtu siç e kishte portretizuar muaj më parë në një intervistë të dhënë për televizionin serb, N1, Xhelal Sveçla.

El Dorado mbeti si sinonim i një vendi ku hajdutëria i mbivendoset ligjit.

Veriu tashmë nuk bënte përjashtim.

Pikërisht ky fakt bëri që Policia e Kosovës të veprojë.

Ata shtuan radhët dhe shpeshtuan patrullimin në komunat veriore të Kosovës.

Ndërkohë që në po këto rrugë ku Policia e Kosovës po kryente detyrat e saja rutinore, bandat kriminale të armatosur e me maska po bridhnin vërdallë.

Një përballje e legaliteti me ilegalitetin për paksa kushtoi me jetën e një polici.

Më 8 dhjetor, në orën 23:oo, vetëm 60 minuta para mesnate, derisa një veturë e Policisë së Kosovës po patrullonte nëpër fshatin Serbovc, në Komunën e Zveçanit, u sulmuan nga një grup personash të armatosur dhe me maska.

Nga sulmi mbeti i plagosur Ekrem Neziri nga Njësia për Reagim të Shpejtë.

Ndonëse sulmuesit e patrullës policore nuk diheshin ende, Xhelal Sveçla përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, pati lajmëruar se tashmë organet e rendit kishin një të arrestuar në rastin e sulmit në Zyrat e Kuvendit Komunal Zgjedhore dhe sulmit ndaj zyrtarëve të KQZ-së në Veri.

Dejan Pantiç, sipas Sveçlës, një ish-pjesëtarë i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ishte organizatori i sulmeve terroriste.

Arrestimi i tij nuk u kapërdi lehtë nga serbët.

Pantiç ishte shndërruar në një “mollë sherri”.

Bashkëkombësit e tij veçse të revoltuar, kishin filluar barrikadimin.

E dyta me radhë gjatë këtij viti, e treta gjatë dy viteve të fundit.

Bllokimi i rrugëve ishte shndërruar në pamje të zakonshme në katër komunat veriore.

Ndërkaq që serbët besonin në pafajësinë e policit serb, Pantiç, çekani i drejtësisë veçse kishte rënë mbi të – atij i ishte caktuar vendimi për një muaj paraburgim.

Ilustrim

U deshën 20 ditë, retorikë konfrontues, shtrëngim muskujsh e negociata që serbët të pajtohen t’i largojnë barrikadat.

Deri në vigjiljen e fillimit të largimit të barrikadave, zgjidhja për këtë ngërç nuk dukej gjëkundi.

KFOR-i kishte refuzuar t’i largojë barrikadat pa dialog ndërmjet palëve.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës, përmes kryeministrit, Albin Kurti, kishte njoftuar se po pret nga KFOR-i që të bëjë heqjen e barrikadave.

Pikërisht katrahura politike e krijuar nga targat, erdhi në një kohë kur evropianët u angazhuan për të gjetur një propozim për marrëveshje finale.

Propozimi fillimisht u trajtua si bastard, duke u publikuar vetëm në media e duke mos u pranuar si dokument evropian. Së pari u pagëzua nga Albanian Post si propozim franko-gjerman dhe pasi e pranuan më vonë të gjitha palët ekzistencën e tij, u birësua nga Bashkimi Evropian, duke aluduar se aty takonte si nismë nga fillimi.

Në momentin kur besohej se krizat akute do liheshin anash, për të vazhduar me propozimin dhe shpesën për një pajtim final, ose të paktën një hartë drejt atij pajtimi, krizat në terren veçse u shtuan, me palët duke akuzuar njëra tjetrën se nuk e duan marrëveshjen fare, prandaj e kthejnë në destruktivitet përmes veprimeve.

Ndërsa drita në fund të tunelit nuk dukej askund, një vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinë, ndryshoi dinamikat në terren.

Ai i cili akuzohej për akte terroriste, tashmë ishte liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Pamundësinë për të lëvizur lirshëm në katër komunat veriore të Kosovës si pasoj e barrikadave nuk e kishin vetëm qytetarët e rëndomtë të Kosovës, por edhe vetë shteti – në këtë rast Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës në momentin kur e kishte arrestuar Dejan Pantiç-in, që akuzohet për sulm terrorist, do të duhej të dërgonte në qendër të paraburgimit siç është paraparë me ligj.

Por, as pas 20 ditësh kjo nuk u arrit, meqë rruga u bllokua dhe policia nuk kalonte dot nëpër barrikada.

Mu për këtë arsye tashmë i pandehuri mbahej në një kontejnerë të Policisë së Kosovës diku në pjesën veriore të Kosovës.

Prandaj, “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhet në sqarimin e Speciales.

Pikërisht ndryshimi masës së sigurisë për Pantiç, “detyroi” presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç që të udhëtoi për në Rashkë, për të takuar serbët e Kosovës.

Takimi në fjalë i cili u prit të përfundojë shpejtë, zgjati shumë, kjo pasi që sipas Vuçiç takimi me serbët të cilët deri në minutën e fundit kanë insistuar që barrikadat të mbesin aty ku janë, “ka qenë shumë i vështirë, por i sinqertë”.

Prandaj ka deklaruar Vuçiç, se pas këtyre bisedimeve jo të lehta, serbët nga Kosovë janë pajtuar që t’i largojnë barrikadat në katër komunat veriore të Kosovës, kjo falë garancisë që ky i fundit u ka dhënë atyre.

Megjithatë ai paraprakisht tha se kërkesë e tij drejtuar serbëve për largimin e barrikadave buron nga fakti se Serbia ka arritur të marrë të gjitha garancitë nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe cilësimin e barrikadave si mjete paqësore.

Akoma më e rëndësishme në gjithë këtë mes, sipas Vuçiç, ishte garancia që mori Beogradi nga komuniteti ndërkombëtar se asnjë nga personat që vendosën barrikadat dhe i mbrojtën ato të armatosur nuk do të ndiqen nga autoritetet e Kosovës.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përpos që mohoi në mënyrë kategorike pretendimet e Vuçiç’it, se vetë ai ka dhënë garanci komunitetit ndërkombëtar për të amnistuar njerëzit në barrikada, ashtu siç thoshte deklarata e lëshuar nga ShBA-të dhe BE-ja, largimin e barrikadave e kishte perceptuar si një fitore të tijin dhe të Kosovës.

“Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan vetën”, kishte thënë Kurti.

Kot u lodhën edhe qytetarët e Kosovës që kaluan vitin duke dëgjuar lajme për rrezikun e shpërthimit të tensioneve në veri.

Në fund, asgjë nuk ndodhi. Në veri, gjithçka pothuajse është në gjendje të njëjtë, përveç vitit që po ndryshon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore