Lajme

Edhe një veturë me targa serbe digjet në Veri


Vetura e djegur në Veri.

Edhe një veturë tjetër me targa të Serbisë është djegur të hënën pas mesnate në Veri të Mitrovicës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

“Rasti ka ndodhur diku rreth orës 02:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Vetura është me targa të Republikës së Serbisë dhe jemi duke zhvilluar hetimet për rastin”, ka thënë Hoti për AP.

Edhe mediumi serb Kossev ka raportuar se pronari i veturës me inicialet N.M e ka konfirmuar se i është djegur vetura.

“E kam parkuar aty ku e parkoj gjithë kohën. Nuk u besoja syve kur shkova në punë këtë mëngjes. Pyesja veten nëse ishte vetura ime”, ka thënë ai.

Edhe pas rasteve të shumta të ngjashme akoma nuk është arrestuar asnjë person për këto incidente.

Në takimin e mbajtur në Bruksel, më 21 nëntor nuk është arritur marrëveshja për targat mes dy palëve Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mesnatën e së martës ka vendosur që të shtyjë vendimin për targat për 48 orë.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Vendimi për gjobat, siç ishte njoftuar, pritej të fillonte nga ora 8:00 e së martës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore