Lajme

SHBA pranon tryezën me Iranin


Administrata e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ka pranuar të ulet në tryezën e bisedimeve me Iranin, për të diskutuar mbi rishikimin e marrëveshjes bërthamore të 2015-ës.

Zëdhënësi për shtyp i Departamentit të Shtetit, Ned Price, deklaroi se “ftesa e bërë nga Bashkimi Evropian për tryezën me Iranin është pranuar”.

Prej javësh diskutohej nëse Amerika do të pranonte rikthimin e bisedimeve, pas dy viteve kërcënime nën administratën Trump. Ky i fundit, njoftoi në vitin 2018 prishjen e marrëveshjes me Iranin. Sanksionet ndaj vendit islamik, u rikthyen.

Me ardhjen e Biden-it në Shtëpinë e Bardhë, pritej një zbutje e toneve përsa i përket çështjes. Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken me marrjen e detyrës në fund janari, theksoi se “SHBA-ja është e gatshme të rikthehet në bisedime, nëse Irani zbaton detyrimet e veta”.

Replika e shtetit islamik, erdhi në dy fronte. Fillimisht, presidenti Hassan Rouhani, nënvizoi faktin se “SHBA-ja duhet të zbatojë pjesën e saj fillimisht”. “Më pas, duhet të japë rekomandime për palën tjetër”.

Ministri i Jashtëm iranian ndërkohë, Javad Zarif, i vuri në dukje administratës Biden se koha në dispozicion ishte e pakët për t’u kthyer në marrëveshje.

“Washingtoni duhet të veprojë sa më shpejt. Legjislacioni i miratuar në Iran mbi programin bërthamor hyn në fuqi në 21 shkurt. Kjo do të thotë se pas asaj date, marrëveshja mund të rrezikohet”.

Pakti SHBA-Iran

Marrëveshja bërthamore u nënshkruar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në vitin 2015. Në këmbim të lehtësimeve të sanksioneve ekonomike, Iranit do t’i duhej të ulte prodhimin bërthamor.

Në vitin 2018, Donald Trump e prishi marrëveshjen me Iranin, duke rikthyer sanksione të ashpra ekonomike. Kjo lëvizje u kritikua shumë dhe solli trazira midis dy vendeve.

Me fillimin e vitit 2021, Irani ndërmori hapa për të prodhuar Uranium 20%. Kjo ishte shqetësuese për ndërkomëtarët. Pavarësisht faktit se kjo pastërti e Uraniumit nuk lejon prodhimin e armëve bërthamore, sërish kishte vend për panik.

Në javën e parë të shkurtit, një lajm qarkulloi se Irani po prodhonte gjithashtu metal Uraniumi. Këto të fundit, përdoren për prodhimin e bërthamave të armëve nukleare.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, e ka monitoruar situatën gjatë gjithë këtyre viteve. Kontrolle të veçanta zhvilloheshin në Iran përsa i përket prodhimit bërthamor.

Më 15 shkurt, presidenti Rouhani deklaroi se “me hyrjen në fuqi të ligjit të ri më 20 shkurt, edhe inspektorëve të OKB-së mund t’u mbylleshin dyert e uzinave prodhuese në Iran.

Tashmë pritet një stad i ri i zhvillimeve të marrëdhënieve SHBA-Iran. Vendet e BE-së, do të jenë ndërmjetëse në bisedime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore