Lajme

SHBA përgatit sanksione ndaj Rusisë për SolarWinds


Administrata Biden  po përgatitet të vendosë sanksione dhe masa të tjera ndëshkuese ndaj Moskës, pasi kjo e fundit nuk po tërhiqet nga arrestimi i opozitarit rus, Alexei Navalny. Sanksione do të vendosen edhe për skenarin e cyber-spiunazhit SolarWinds, një fushatë aktiviteti kibernetik dashakeqës.

Disa kompani u hack-uan gjatë fushatës SolarWinds. Agjencitë qeveritare dhe private u dëmtuan së shumti nga ky skenar. Sipas agjencive, ky spiunazh ka qenë “përçarës”, gjë që mund të përligjë pretendimet e SHBA-së se spiunazhi rus ishte më i dëmshëm se sa ai për të cilin Amerika akuzohet nga Rusia.

Për këtë arsye, administrata amerikane po ndërmerr masa mbi forcimin e masave kundër vjedhjeve kibernetike. Sulmet mund të parandalohen sipas zyrtarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Vetëm javën e kaluar u goditën nëntë agjenci qeveritare amerikane dhe mbi 100 kompani”, deklaroi një zyrtar nga Washingtoni.

Por, arsye tjetër me rëndësi për vendosjen e sanksioneve, është edhe çështja Navalny. Të hënën e 22 shkurtit, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, u mblodhën për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Atyre iu bashkua edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Asnjë deklaratë zyrtare nuk u dha nga ky i fundit, por qasja ishte se SHBA-ja i bashkohej bllokut evropian.

Vetë BE-ja nuk i ka saktësuar sanksionet. Brenda shkurtit, pritet të bëhen publikë emrat e aleatëve të Putin-it, të cilët do të ndëshkohen.

Sipas krahut të djathtë të Navalny-t, Leonid Volkov, kjo mund të jetë e vetmja mënyrë për të liruar opozitarin.

Nëse sanksionet amerikane do të jenë të njëjta me ato evropiane, ende nuk dihet. E vetmja gjë e dukshme, është bashkëpunimi SHBA-BE, i cili ka gjetur sërish gjuhën e përbashkët. Kjo, pas katër vitesh marrëdhënie të ndërlikuara BE-Trump.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore