Lajme

SHBA-ja miraton legjislacionin për ndalimin e importit nga Xinjiang-u i Kinës


Senati amerikan ka miratuar legjislacionin për të ndaluar importin e produkteve nga rajoni Xinjiang i Kinës.

Kjo është përpjekja e fundit e Washington-it për të ndëshkuar Pekinin, për atë që zyrtarët amerikanë thonë se është një gjenocid i vazhdueshëm ndaj ujgurëve dhe grupeve të tjera myslimane.

Kaluar me pëlqimin unanim, masa bipartizane do të zhvendosë barrën e provës tek importuesit.

Rregulli aktual ndalon mallrat, nëse ka prova të arsyeshme se janë prodhuar me anë të punës së detyruar.

Projekt-ligji duhet gjithashtu të kalojë Dhomën e Përfaqësuesve përpara se të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë që ta miratojë presidenti Joe Biden.

Demokratët dhe Republikanët thanë se prisnin që masa do të merrte mbështetje të fortë në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në dukje se Dhoma miratoi një masë pothuajse të ngjashme, vitin e kaluar.

Projekt-ligji do të shkojë përtej hapave të ndërmarrë deri tani për të siguruar zinxhirët e furnizimit në SHBA përballë akuzave për abuzime të të drejtave në Kinë, përfshirë ndalimet ekzistuese të domateve, pambukut dhe disa produkteve diellore të Xinjiang-ut.

Administrata e Biden ka rritur sanksionet dhe të martën paralajmëroi bizneset se mund të ishin në shkelje të ligjit amerikan nëse operacionet lidhen me rrjetet e mbikëqyrjes në Xinjiang.

Grupet e të drejtave, studiuesit, ish-banorët, disa ligjvënës dhe zyrtarë perëndimorë thonë se autoritetet e Xinjiang, që nga viti 2016, kanë ashpërsuar punën e detyruar duke detyruar rreth një milion ujgurë dhe pakica të tjera kryesisht myslimane.

Lidhja e fesë me ekstremizmin

Kina besohet të ketë arrestuar më shumë se 1 milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë në Xinjiang. Një rajon i madh në Kinën veriperëndimore, që është shtëpia e popujve të ndryshëm etnikë turq.

Shteti është akuzuar për abuzime të të drejtave të njeriut në rajon, duke përfshirë punën e detyruar, sterilizimin dhe përdhunimin.

Shumica e të arrestuarve në Xinjiang dërgohen në ambientet e “riedukimit”, kampe të ngjashme me burgun ku mbahen për periudha të pacaktuara kohore pa asnjë akuzë.

Por të tjerëve u janë dhënë dënime zyrtare me burg, numri dhe ashpërsia e të cilave janë rritur në mënyrë dramatike që nga viti 2017.

Dokumentet e ndalimit ose akuzave të disponueshme nga publiku janë të rralla, por ato që ekzistojnë demonstrojnë se si shteti ka punuar për të lidhur shprehjen e zakonshme fetare në Xinjiang me ekstremizmin ose separatizmin politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore