Bota

SHBA/McConnell kundër pretendimeve të Trump


Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, ka deklaruar se nuk ka asnjë provë paligjshmërie të vjedhjes masive të votave në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA.

“Çdo proces zgjedhor ka parregullsi të vogla dhe sigurisht që kjo është e papranueshme për ne”, tha McConnell në fjalën e tij në Senat. “Pavarësisht kësaj, këto shkelje nuk e kthejnë dot vullnetin e amerikanëve”.

McConnell theksoi se “nuk ka kuptim të zhvillohen këto bisedime kur shtetet kanë certifikuar rezultatet”. “Nëse do të kthejmë vendimet e tyre, do të dëmtojmë përgjithmonë republikën tonë”, shtoi McConnell.

Në kujtesën zgjedhore amerikane, kemi raste kur rezultati ka qenë edhe më i ngushtë. Të dy zgjedhjet e ish-presidentit, George W. Bush, kanë pasur rezultat më të ngushtë. Vetë zgjedhja e Trump-it në 2016-ën, ka qenë me diferencë thuajse të njëjtë me fitoren e Biden-it në 2020-ën.

Një pikë tjetër me rëndësi që McConnell preku në fjalim, ishte mbështetja që ai i ka dhënë Trump-it më parë. Ai e ka mbështetur presidentin për të çuar zgjedhjet në shtete të caktuara për rinumërim.

“Dhjetëra procese gjyqësore u nisën në shumë shtete. Njëri pas tjetrit, të gjithë pretendimet u hodhën poshtë. Vetë gjykatësit që ka caktuar Trump-i kanë votuar kundër”.

McConnell përmbylli duke thënë se “kjo është vota më e rendësishme e gjithë karrierës së tij”.

Senati dhe Kongresi pritet të certifikojnë zgjedhjen e Joe Biden si president i SHBA-së në seancën e 6 janarit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore