Bota

SHBA/1000 trupa të Gardës Kombëtare nga New York-u dërgohen në Washington


Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, ka dërguar një mijë trupa të Gardës Kombëtare amerikane drejt kryeqytetit, Washington DC, pas shpërthimit të protestave nga mbështetësit e presidentit Donald Trump.

Kërkesa ka ardhur nga vetë autoritetet e Gardës Kombëtare në SHBA. Cuomo, i është përgjigjur menjëherë kërkesës, duke dërguar një mijë trupa drejt Capitol-it.

Ky hap është marrë për “të ndihmuar dhe lehtësuar procesin e tranzicionit në mënyrë paqësore”, sqaron Cuomo në deklaratë.

“Për 244 vite, shtylla e demokracisë tonë ka qenë paqja në tranzicione presidenciale. New York-u, është i gatshëm të japë ndihmën në këtë proces”, shtoi Cuomo.

Trupat do të qëndrojnë në kryeqytet për dy javë.

Shqetësime janë hedhur se mbarëvajtja e kontrollit të Covid në New York, do të kompromentohet nga ky vendim.

Gjithsesi, vetë Cuomo u përgjigj se “situata është nën kontroll”. “Dërgimi i trupave nuk e prek mbarëvajtjen e luftës ndaj Covid-it”, përmbylli Cuomo.

Situata në Washington u përkeqësua së tepërmi pas bastisjes së Capitol-it nga protestuesit.

Forca shtesë policore janë dërguar në Capitol menjëherë pas shpërthimit të turrmës. Përfshirja e Gardës Kombëtare u pa si domosdoshmëri pas raportimeve se disa protestues kanë qenë të pajisur me armë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore